10 nëntor 1936 – lindja e skulptorit në Gjirokastër
Nga Leonard Veizi
Ai nuk ndjen lodhje dhe vazhdon të ngjitet mbi skela. Sinergjia që përcjell përmes shputave, gishtave dhe mollëzave të tij fort të ndjeshme, ngjesh baltën e pajetë, e cila, edhe pse jo e njëtrajtshme, herë amorfe e herë kokëfortë, shkon atje ku ai, për së fundi, i jep rifiniturën plot delikatesë. Është një sforco e ethshme që shkon deri në stërmundim, por që sërish kthehet pas për të ridhënë të njëjtën energji. Ndoshta është kjo lëvizje përherë rreth vetes, kjo frymëmarrje që përplaset mes formës dhe materies, që e ka shndërruar skulptorin plot famë në një nga emrat më të mëdhenj të skulpturës shqiptare.
…Muntaz Dhrami lindi në Gjirokastër më 10 nëntor të vitit 1936, në një qytet ku guri, dritëhija dhe tradita bashkëjetojnë në harmoni të pazakontë. Në lagjet me rrugë kalldrëmi, ku çdo mur duket sikur flet, ai nisi të kuptojë herët se materia ka shpirt, mjafton ta dëgjosh me vëmendje.

Rrënjët dhe formimi
Shkollën fillore dhe dy vitet e para të së mesmes i kreu në qytetin e lindjes, përpara se të nisej drejt Tiranës, ku në vitet 1953–1956 do të ndiqte studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ishin vitet kur arti shqiptar kërkonte të gjente fytyrën e vet dhe ku brezi i ri i artistëve – mes tyre edhe Dhrami – do të bëhej më vonë themelues i një identiteti të ri monumental.
Pas diplomimit, gjatë viteve 1956–1957, ai punoi për pak kohë si modelist në kooperativën e Porcelanit, ku mësoi të njihte materialin në detajet më të imëta. Por formimi i tij i vërtetë do të vinte më vonë, gjatë studimeve të larta në Akademinë e Arteve të Shën Petërsburgut (atëherë Leningrad, Rusi), në vitet 1957–1961. Kjo përvojë e pasuroi me ndjeshmërinë klasike të skulpturës europiane, me disiplinën e formës dhe me kërkimin e përmasës monumentale që do ta shoqëronte gjithë jetën artistike.
Artist dhe pedagog
Gjatë viteve 1961–1976, Muntaz Dhrami punoi si pedagog e më pas si dekan i Fakultetit të Arteve Figurative në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve. Ishte një periudhë ku formoi breza të tërë skulptorësh të rinj, duke përcjellë jo vetëm mjeshtërinë teknike, por edhe filozofinë e tij mbi raportin mes njeriut dhe materies. Për Dhramin, skulptura nuk ishte thjesht ndërtim formash, por ndërtim shpirti. Ai dinte të fliste me baltën dhe me gurin, me të njëjtën ndjesi që një dirigjent komunikon me orkestrën.
Herë pas here, Dhrami largohej nga detyra e pedagogut për t’u zhytur në krijimtari të lirë, duke realizuar disa nga monumentet më të rëndësishme të hapësirës publike shqiptare.
Monumentaliteti si kujtesë
Në veprat e tij monumentale, Dhrami shfaqet si një përkthyes i madh i kujtesës kombëtare në gjuhën e artit. Ai është një nga autorët e komplekseve monumentale që shënuan periudhën e artit publik shqiptar: Monumenti i Pavarësisë në Vlorë – së bashku me Kristaq Ramën dhe Shaban Hadërin,- “Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, si dhe memorialet në në disa qytete të vendit.
Në çdo rast, Dhrami kërkonte që figura njerëzore të mos ishte vetëm përfaqësuese e një ideali politik apo historik, por të mbante brenda frymën e njeriut të gjallë, dinjitetin e përditshëm, dhimbjen dhe krenarinë. Skulpturat e tij janë të fuqishme, por jo të rënda; të qëndrueshme, por gjithmonë me një ndjesi lëvizjeje të brendshme.
Një mjeshtër i formës dhe i heshtjes
Ndryshe nga shumë bashkëkohës, Dhrami nuk u kufizua në një gjuhë të vetme shprehëse. Ai eksperimentoi me materiale të ndryshme – nga balta e butë e modelimit, deri te guri dhe bronzi – duke ruajtur gjithmonë ndjeshmërinë e dorës që di të ndjejë. Edhe pse monumental në përmasa, ai mbetet intim në detaje. Çdo rrudhë, çdo kthesë e trupit, çdo shikim në veprat e tij bart një histori të njeriut që ai portretizon.
Për Muntaz Dhramin, arti ishte mënyrë jetese, por edhe mënyrë për të komunikuar me të shkuarën dhe me të ardhmen. Ai është një nga ata artistë që nuk flet me fjalë, por me heshtjen e gurit që përmes duarve të tij fillon të tregojë.
Trashëgimia e gjallë
Veprat e Dhramit janë sot pjesë e pandarë e peizazhit kulturor të Shqipërisë. Monumentet e tij nuk janë thjesht pika reference urbane, por kujtesë kolektive e një kombi që kërkon të njohë vetveten në formë dhe frymë. Për kontributin e tij në artin figurativ, ai është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër to edhe titullin “Artist i Popullit”.
Edhe pse vitet kanë kaluar, duart e tij vazhdojnë të jenë të kujtueshme – si një gjuhë e vetme që flet për përjetësinë. Në studion e tij, balta, guri dhe bronzi mbeten në pritje, si të gjallë, derisa ai t’i japë formë një ideje të re.
Në fund të fundit, Muntaz Dhrami është artisti që nuk iu nënshtrua as kohës, as modës, as materialit. Ai i dha frymë çdo forme që preku – dhe nëpërmjet tyre, frymë vetë jetës.
