Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker i dërgoi një mesazh të qartë Serbisë duke i kërkuar të shmangë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurtë.
Për zyrtarin e lartë amerikan, e ardhmja strategjike e vendit duhet të jetë rreshtimi me Perëndimin. “Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur,” shkroi Whitaker në X duke shtuar se këtë qëndrim ia përcolli presidentit serb, Aleksandar Vuçic gjatë takimit një ditë më parë në Beograd. Serbia, edhe katër vjet pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, nuk i është bashkuar sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës dhe vazhdon lidhjet politike me përfaqësuesit e pushtetit rus.
Whitaker e vlerësoi rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal dhe nënvizoi pritshmërinë për stërvitjen e përbashkët të Serbisë me NATO-n në maj. “Por isha i qartë: bashkëpunimi i Serbisë me partnerë të pasigurt në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë krijon varësi strategjike afatgjatë, e cila është e vështirë të çlirohet dhe ndërlikon bashkëpunimin e ardhshëm,” shtoi ai.
Agjencitë amerikane të inteligjencës, në raportin e tyre vjetor, paralajmërojnë se Ballkani Perëndimor mbetet një zonë e tensionuar politikisht dhe e ndikuar nga faktorë të jashtëm, duke përfshirë rolin destabilizues të Rusisë.
Raporti, i publikuar më 18 mars, theksonte se lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjet mes Perëndimit dhe Moskës, duke reflektuar edhe në rajonin e Ballkanit, ku nënvizohej se Rusia “nxit paqëndrueshmëri mes Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, si dhe mbështet përpjekjet për shkëputjen e entitetit Republika Sërpska nga Bosnja dhe Hercegovina.
