Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka deklaruar se zhvillimet e fundit nuk sinjalizojnë fundin e NATO-s, duke e cilësuar aleancën si projektin më të suksesshëm të mbrojtjes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Në përfundim të takimit me homologun e tij estonez, Alar Karis, Nauseda theksoi se NATO ka dëshmuar vlerën e saj si gjatë Luftës së Ftohtë, ashtu edhe pas saj, dhe do të vazhdojë të luajë një rol kyç edhe në të ardhmen.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, retorika e përdorur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk është gjë tjetër veçse një mjet për të nxitur aleatët që të kontribuojnë më aktivisht në aktivitetet dhe financimin e aleancës.
Qëndrim të ngjashëm ndau edhe presidenti i Estonisë, Alar Karis, i cili bëri thirrje për një vlerësim më të thelluar të rëndësisë së zhvillimit të industrisë evropiane të mbrojtjes. Sipas tij, kjo është thelbësore për të përmbushur nevojat mbrojtëse të NATO-s, si dhe për të përfituar nga mundësitë ekonomike që sjell prodhimi ushtarak në një kontekst global të karakterizuar nga mungesa në rritje e armatimeve./mxh
