Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, deklaroi se operacionet ushtarake të Hezbollah në territorin libanez drejtohen nga anëtarë të Gardianët e Revolucionit Islamik.
Në një intervistë për Al-Hadath, ai foli gjerësisht mbi luftën aktuale, rolin e Hezbollahut dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas tij, Libani është futur në një konflikt që nuk e ka zgjedhur vetë. “Lufta na është imponuar”, tha Salam, duke theksuar se çdo raketë e lëshuar nga Hezbollahu ka pasoja të rënda humanitare, duke shkaktuar mijëra të zhvendosur.
Salam deklaroi se prania e Gardianëve të Revolucionit në Liban është aktive dhe vendimtare në drejtimin e operacioneve kundër Izraelit. Ai përmendi edhe një incident të fundit, ku një dron i prodhimit iranian goditi një bazë britanike në Qipro, duke shtuar se këto zhvillime tregojnë përfshirjen direkte të Iranit në konflikt.
Sipas tij, disa prej këtyre elementëve kanë hyrë ilegalisht në Liban duke përdorur dokumente të falsifikuara, raporton L’Orient-Le Jour.
Qeveria libaneze ka vendosur tashmë ndalimin e çdo aktiviteti të Gardianëve të Revolucionit në vend.
“Luftë e të tjerëve në tokën tonë”
Kryeministri u shpreh kritik ndaj Hezbollahut, duke kundërshtuar argumentin se Izraeli do ta sulmonte Libanin gjithsesi.
“Nuk është detyra jonë të provokojmë apo të hakmerremi për të tjerët. Kjo është lufta e të tjerëve në tokën tonë”, theksoi ai.
Ai rikujtoi se qeveria ka shpallur të paligjshme operacionet ushtarake të Hezbollahut, por pranoi se zbatimi i vendimeve ka qenë i ngadaltë. Megjithatë, ai shtoi se autoritetet kanë filluar arrestime të personave të armatosur jashtë kontrollit të shtetit.
Salam nënvizoi se një shtet funksional nuk mund të ketë “dy ushtri dhe disa qendra vendimmarrjeje”, duke kërkuar që armët të jenë ekskluzivisht në duart e shtetit.
Negociatat me Izraelin mbeten në tryezë
Në lidhje me përpjekjet për paqe, Salam konfirmoi se iniciativa për negociata direkte me Izraeli është ende aktive nga pala libaneze. Kjo iniciativë ishte propozuar nga presidenti Joseph Aoun në fillim të konfliktit.
Megjithatë, ajo përballet me pengesa të shumta, përfshirë refuzimin izraelit dhe kundërshtimin e Hezbollahut dhe aleatëve të tij. Salam theksoi se çdo delegacion negociator duhet të përfaqësojë të gjitha palët politike në vend.
Kërkesat e Libanit mbeten të qarta, tërheqje e plotë izraelite nga territoret libaneze dhe kthimi i të burgosurve libanezë.
Duke folur për krizën e brendshme, Salam tha se mbi 1.1 milion persona janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve. Qeveria ka hapur qindra qendra pritjeje në të gjithë vendin. Ai hodhi poshtë akuzat për neglizhencë, duke deklaruar se kritikët po përpiqen të shmangin përgjegjësinë e tyre për shpërthimin e konfliktit./kb
