Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.
Lajmin e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes rrjeteve sociale, ku i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve.
“Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura. Ai ka shërbyer si Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Bujqësisë. U prehsh në paqe Profesor”, shkruan Balla në postimin e tij.
Pepa ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e bujqësisë shqiptare, duke qenë ministër gjatë viteve 1991–1992, një periudhë kur ky sektor konsiderohej jetik për ekonominë dhe po kalonte transformime të mëdha.
Në të njëjtën periudhë, Zyhdi Pepa ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit.
Gjatë karrierës së tij politike, Pepa ka lënë një kontribut të vlerësuar në bujqësinë shqiptare dhe në konsolidimin e institucioneve gjatë periudhës së tranzicionit.
Ai shërbeu si zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeveritë e Ylli Bufit dhe më pas të Vilson Ahmetit, duke mbetur një figurë e respektuar për kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij./KM
