Last Updated on 06/07/2026 by Anisa
Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka mohuar akuzat se ka kërcënuar gjeneralin Vladimir Qirjazi, duke këmbëngulur se komunikimet mes tyre kanë qenë gjithmonë zyrtare dhe brenda kuadrit ligjor.
Pas daljes nga GJKKO, Oketa deklaroi se kishte firmosur kthimin e një prone te pronarët e ligjshëm, pasi sipas tij ata kishin kryer pagesën e kërkuar nga shteti, por prona nuk ishte e regjistruar në kadastër në atë kohë.
Ai sqaroi se çështja e ish-klubit “Partizani” nuk përbënte prioritet për Ministrinë e Mbrojtjes dhe se procedurat janë ndjekur si në rastet e tjera të pronave shtetërore.
“Kam pasur shumë takime me Qirjazin. Komunikimi ka qenë zyrtar dhe brenda ligjit. Urdhri i ministrit nuk po zbatohej dhe u nisën procedurat për kthimin e pronës te pronarët legjitimë,” tha Oketa, duke shtuar se çdo vendim është marrë mbi bazë dokumentesh zyrtare.
Sipas tij, pas urdhrit për kthimin e pronës, është ngritur edhe një grup pune për dorëzimin dhe regjistrimin e saj, duke synuar mbylljen e procedurave ligjore./ad
