Në Ukrainë po vazhdojnë ndërprerjet e energjisë elektrike pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike. Ministria e Energjisë njoftoi se rreth 800 mijë konsumatorë mbetën pa energji në rajonin juglindor të Dnipropetrovskut, ndërsa furnizimi me energji u godit pothuajse tërësisht edhe në rajonin e Zaporizhjës.
Megjithatë, në qytetin e Dnipro, jeta nuk u ndal. Shumë biznese, përfshirë kafenetë, ishin të përgatitura për një tjetër ndërprerje energjie. Ata përdorin gjeneratorë, bateri dhe furnizime rezervë për të vazhduar aktivitetin dhe për t’u shërbyer qytetarëve.
Një bariste nga Dnipro tregon se edhe gjatë një ndërprerjeje totale, ata mund t’u shërbejnë njerëzve me kafe apo çaj, t’i ndihmojnë të ngrohen, të karikojnë pajisjet dhe të vazhdojnë jetën e tyre. Ndërprerja e sotme nuk u kthye në një katastrofë për qytetin, sepse shumica e bizneseve dhe njerëzve ishin të përgatitur dhe kafenetë mbetën të frekuentuara.
Ndërsa lufta vazhdon dhe infrastruktura energjetike mbetet objektiv i sulmeve, qytetarët ukrainas po përshtaten me realitetin e ri, duke u mbështetur te përgatitja dhe solidariteti për të përballuar errësirën./mxh
