Last Updated on 21/04/2026 by EL
Prej tre javësh, Policia e Shtetit duket se ka hyrë në një fazë të re, nën drejtimin e kryepolicit Skënder Hita. Me marrjen e detyrës, Hita ka nisur të shpalosë hap pas hapi edhe vizionin e tij për drejtimin e policisë. Era “Hita” në polici nisi me ndryshimin e strategjisë për menaxhimin e protestave dhe vijoi më pas me urdhrin e fundit për heqjen e patrullave të Policisë Rrugore në të gjitha akset nacionale, duke synuar që ndëshkimet për shoferët shkelës të ligjit të realizohen përmes radarëve.
Hita ka zhvilluar një mbledhje me të gjithë shefat e qarkullimit rrugor në vend. Në këtë takim, ai ka qenë i prerë në idetë e tij, duke përcaktuar qartë porositë dhe rregullat e reja që do të ndjekë policia rrugore, në një kohë kur sezoni turistik po afron dhe imazhi i policisë përballë turistëve të huaj synohet të jetë ai i një policie europiane.
Deri më tani, Hita nuk ka ndërmarrë ndryshime të mëdha në rang drejtuesish, por këto lëvizje pritet të vijnë shumë shpejt, sapo të zgjidhen disa ngërçe ligjore që aktualisht mbajnë pezull procesin. Që Hita të ndërtojë skuadrën e tij të re, ndryshimet duhet të nisin që nga ligji për Policinë e Shtetit. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se së fundmi po diskutohet edhe mundësia e disa ndërhyrjeve në këtë ligj, ku pritet të rishikohen procedurat për emërimin e drejtorëve të qarqeve, të departamenteve dhe shefave të komisariateve.
Aktualisht, këto poste plotësohen përmes konkursit, një mekanizëm që kufizon hapësirën e kryepolicit për të bërë ndryshime të shpejta në drejtim. Ndryshimet synojnë t’i japin më shumë fleksibilitet ligjor drejtorit të përgjithshëm, duke rikthyer mundësinë e emërimeve direkte për këto pozicione, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë.
Një tjetër ngërç që po frenon këtë proces është gara për drejtorët e departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Padia e Aida Hajnaj në gjykatën administrative vijon të mbajë pezull prej muajsh këtë garë, e cila ishte hapur nga ish kryepolici Proda. Hajnaj kërkon rikthimin në detyrë si zv.drejtoreshë e përgjithshme e policisë. Një ditë më parë, seanca gjyqësore u shty, pasi Policia e Shtetit nuk u paraqit me përfaqësuesin e saj.
Gjyqi pritet të zhvillohet më 27 prill. Megjithatë, edhe nëse gjykata do të japë një vendim në favor ose jo të Hajnaj, ngërçi për emërimet në nivel departamentesh nuk pritet të zgjidhet menjëherë, pasi gara nuk është hapur nga Hita, por nga paraardhësi i tij. I vetmi departament për të cilin Proda nuk hapi garë është ai i policisë kriminale, që drejtohet nga Neritan Nallbati, të cilit në muajin qershor i përfundon mandati. Në këtë situatë, mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjidhja që do të zgjedhë kryepolici i ri për drejtuesit e departamenteve, ndërsa një nga opsionet më të forta mbetet edhe ndërhyrja në ligj./ET
