Shkencëtarët e Roslin Institute në Edinburg kanë krijuar derra që janë rezistentë ndaj një sëmundjeje vdekjeprurëse, raporton The Guardian.
Kafshët e modififkuara gjenetikisht rezultuan të shëndetshme kur u ekspozuan ndaj etheve të derrave, një sëmundje ngjitëse dhe shpeshherë, fatale. Sëmundja u zhduk në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1966, por ka pasur herë pas here shpërthime të saj dhe vazhdon të përbëjë kërcënim në mbarështimin e derrave në të gjithë botën.
“Ethet e derrave janë një sëmundje shkatërruese për bagëtitë dhe fermerët, siç ndodhi me epideminë e 25 viteve më parë në Mbretërinë e Bashkuar”, tha specialistja Helen Crooke. “Shpresojmë që kjo risi të ndihmojë në rezistencën e bagëtive ndaj sëmundjes.”
Ethet e derrave ose murtaja e derrave, shkakton temperaturë, lezione lëkure, dridhje, diarre dhe shpesh ngordhje brenda 15 ditësh.
Në Mbretërinë e Bashkuar, epidemitë periodike kanë shkaktuar asgjësimin e 75 mijë derrave. Në vende si Kina, Rusia dhe Brazili ku sëmundja është endemike, mbahet nën kontroll nga programe të kushtueshme vaksinimi dhe kufizime të tregtisë ndërkombëtare.
Në studimin e fundit, i pari që demonstron rezistencën përmes modifikimit gjenetik, shënjestron gjenin që prodhon proteinën DNAJC14. Proteina luan rol thelbësor në riprodhimin e pestiviruseve pasi hyjnë në qelizë. Studimet e mëparshme te qelizat kishin zbuluar se ndryshimi i disa shkronjave të kodit gjenetik bllokonin riprodhimin e virusit.
Në studimin e ri, shkencëtarët e Roslin Institute krijuan një brez derrash me të njëjtat ndryshme në ADN-në e tyre. Katër prej derrave u ekspozuan ndaj sëmundjes, bashkë me katër derra për kontrollin e saj.
Një javë më pas, katër derrat pa modifikim gjenetik shfaqën simptoma të sëmundjes dhe nivel të lartë të virusit në gjak. Derrat me gjene të ndryshuara ishin plotësisht të shëndetshëm dhe pa shenja infeksioni. U vëzhguan disa breza të derrave të modifikuar gjenetikisht dhe nuk u vunë re efekte në shëndetin apo pjellorinë e tyre.
I njëjti gjen përfshihet në riprodhimin e pestiviruseve që prekin lopët dhe delet, sëmundje më të lehta , por ende në qarkullim dhe shkencëtarët po shohin nëse i njëjti ndryshim mund t’i bëjë edhe këto kafshë më rezistente.
Shumë vende po lehtësojnë rregullat e modifikimit gjenetik. Në SHBA, Brazil e Japoni janë miratuar bagëtitë me gjene të ndryshuara./ K.M
