Nga Leonard Veizi
Sado të mundohet Tirana me fuqinë e kryeqytetit, nuk ia merr dot peshën e rëndësisë së Ditës së Verës Elbasanit, trevës ku ajo vazhdon të festohet si një herë motit. Për komunitetin heterogjen të Tiranës, – ku i pari zor se e merr vesh të dytin, e për më tepër nuk bëhet fjalë – ku një pjesë e njerëzve e ngatërrojnë 14 marsin me 14 shtatorin, Dita e Verës është thjesht një ditë pushimi edhe pse në 2026 na qëlloi e shtunë, pra: wekend. Por gjithçka kompensohet. Janë marrë masat.
– Të na rrojë Qeveria, more shokë.
Për ata që e kanë xhepin plot, kjo do të thotë edhe më shumë. I bien malit me makinë dhe zënë ndonjë tavolinë restoranti, ku hanë e pinë sa për tri ditë bashkë.
– Epo Ditë Vere, vëlla. E shporrëm dimrin më në fund.
Por gjithsesi kjo festë mesmuaji e ka bishtin prapa, sepse andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit: të ftohta, e ndonjëherë edhe me borë.
Për Tiranën, që i përket bashkësisë së rretheve të Shqipërisë së Mesme, 14 marsi është një festë demokracie. Sepse para viteve ’90 të shekullit të kaluar, kjo datë as që konsiderohej si ditë feste, ndonëse njihej për procedurë. Dhe një tirons që donte ta festonte, merrte turravrap rrugën e Kërrabës për të mbërritur në Elbasan.
Aty ahengu është aheng. Çok gjyzel…
…Për Ditën e Verës në Elbasan, tiparet e një feste që cilësohet pagane janë ruajtur me fanatizëm. Në krahina të ndryshme të Shqipërisë ajo festohet në ditë të ndryshme, por asnjëra nuk krahasohet me 14 marsin e Elbasanit. Hijeshia e festës mbulon krejt qytetin dhe zonën përreth, të cilën Sami Frashëri e pat cilësuar dikur si “kërthiza e Shqipërisë”.
Gjithsesi, në Elbasan Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarjeje.
– Ditë Vere, or bab!
Festa dhe gostia
Mëngjesi i Ditës së Verës – në rastet me probabilitetin më të lartë – gdhin vërtet si një ditë vere. Elbasanasit sajdisen enkas për këtë festë dhe një pjesë e atyre që bëjnë xhiro poshtë e lart mureve të kalasë dalin me mëngë të shkurtra, si për ta bërë fakt të kryer se dimrin e kemi lënë pas dhe ditët e ngrohta na presin.
Në Elbasan festa nis që mbrëmjen e 13 marsit. Me një darkë festive në shtëpi. Në terminologjinë vendase kjo quhet “gosti”. Shtrohet tryeza më se e plotë. Nuk mungojnë aty gjeli i detit, qulli me arra, tava me pestil, tava e kosit, palat e fikut, për të vazhduar me verë e raki me bollëk.
– Mos janë hapur gjë magazinat e italianit?
Natyrisht, në përmbyllje të të gjitha të ngrënave nuk mungojnë ballakumet dhe revanija, të cilat amvisat i kanë gatuar që më parë. Dhe po të ngrihesh nga tavolina pas një darke apo dreke të tillë, me siguri do të kesh shtuar pesë kile njëherazi; tensioni mund të ketë shkuar sa për spital, sheqeri në majë, aq sa të të bjerë damllaja.
– Hajde, se do ta shtrëngojmë rripin deri për Bajram.
Sekreti i ballakumeve
Për Ditën e Verës tashmë është bërë zakon që ballakume të gjesh në çdo market apo dyqan lagjeje. Por po t’i krahasosh ato me atë që prodhojnë elbasanasit e vjetër, do të të duken si biskota pesëlekëshe, nga ato që prodhonte dikur kombinati.
– Eh, sa do zanati!
Sepse ballakumet e Elbasanit mund t’i prodhojnë vetëm elbasanllinjtë. Dhe kjo punë, përveç elegancës, ka disa sekrete.
Të jemi të qartë: sekretet nuk janë nga ato të kyçurat në arkiva e katakombe. Ato janë të hapura për çdo amvisë. “Sekreti” i vërtetë është tek përbërësit, tek koha e punimit dhe tek enët ku kryhet i gjithë procesi. Ka nga ato që ta japin formulën, duke e ditur mirë se, sado të përpiqesh, nuk do të mund të bësh një ballakume – fjala vjen në Laçin e veriut apo në Patosin e jugut – të njëjtë me atë të Elbasanit.
Fillimisht merren enë bakri. Dhe bëhet fjalë për enë që ruhen në familje brez pas brezi. Pastaj merret miell misri i situr, ose siç quhet ndryshe maja e miellit të misrit. Sheqeri duhet pluhur dhe, nëse është pak i ashpër, gratë e punojnë fort me një nga enët e bakrit për ta bërë sa më të imët.
Preferohet gjalpi i freskët i lopës, i cili në fillim tretet në zjarr – cilësia e tij ndihet nga aroma karakteristike që mbush ambientin – dhe më pas rrihet me sheqerin për të paktën dy orë të mira. Shumë nga praktikantët heqin përparëset, sepse nuk ia dalin dot me këtë praktikë gjimnastikore. Por elbasanasit ia kanë marrë dorën.
Meqenëse procesi është i gjatë e i lodhshëm, ena e madhe e bakrit kalon dorë pas dore te gratë e shtëpisë, të cilat e rrahin për rreth 20 minuta secila. Vezët, të verdhat e të bardhat bashkë, hidhen një nga një në enën e bakrit, duke u përzier me sheqerin pluhur dhe gjalpin e tretur më parë. Mbi to, në fund, hidhet maja e miellit të misrit. Nuk rrihet me forcë, por trazohet derisa masa lidhet dhe bëhet homogjene, gjithmonë në enën e bakrit.
Me një lugë të madhe druri përbërësi ndahet në forma topi dhe piqen me zjarr të ngadaltë.
– Hej, shyqyr që ia dolëm!
Ky është i gjithë procesi i bërjes së ballakumes. Duket i thjeshtë në sqarimin me shkrim, por fakti është që askush nuk e arrin dot magjinë e një elbasanaseje të vjetër e me shumë përvojë në këtë drejtim.
Edhe revanija, si ëmbëlsira tjetër e barasvlefshme e Ditës së Verës, pak a shumë ka të njëjtën praktikë pune. Por në këtë gatim special përdoret edhe finja, që del nga hiri i drurit të djegur mirë, i cili hidhet në ujë dhe më pas kullohet. Ajo që precipiton nga kjo formulë përdoret për ëmbëlsirën e revanisë.
Rituali dhe zakonet
Festa ka zakonet e vjetra, një pjesë e të cilave janë trashëguar brez pas brezi, ndërsa ca të tjera janë produkt i epokës moderne që po jetojmë.
Që ta festosh Ditën e Verës duket sikur duhet të ndjekësh këtë itinerar: në mëngjes çohesh pa zbardhur dita dhe vishesh me rroba të reja. Hapet dera e rrugës për të hyrë e mira dhe për të dalë së andejmi e keqja.
Pas kësaj vihen për t’u zier vezë fshati – jo nga këto industrialet e qytetit, kuptohet – për të gjithë personat e familjes. Me ujin e tyre shpëlahet fytyra. Është ky një veprim që bëhet për të uruar fat, mirësi dhe shëndet, i cili duhet të jetë i bardhë si lëvozhga e vezës.
Ky është prologu i ritualit.
Pastaj këputet një fije që vendoset tek guri i zallit pranë derës, që nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë. Itinerari vazhdon me vendosjen e veroreve në kyçin e njërës dorë. Veroret janë fije pambuku dyngjyrëshe, të kuqe dhe të bardha, që simbolizojnë dashurinë dhe paqen.
Ndërsa fëmijët e vegjël bëjnë “kam” tek të afërmit në shenjë mbarësie, sepse ata konsiderohen si engjëj. Madje vlerësohet më shumë nëse këtë hap të parë e bën një fëmijë i gjinisë mashkullore. Për këtë veprim mbarësie, fëmijëve u dhurohen pako me ëmbëlsirat tradicionale.
Pastaj nis xhiroja në bulevardin kryesor të qytetit, që mban emrin “Qemal Stafa”, një segment i të cilit kalon përbri mureve të kalasë mesjetare. Është vendi më atraktiv në pjesën urbane, pasi aty pranë janë gjetur edhe gjurmë të një qytetërimi të lashtë mbi 2000-vjeçar, pjesë e qytetit të vjetër të quajtur Skampa.
Në orën 10 tradicionalisht mbahen karnavalet me numra të ndryshëm argëtues. Hapet edhe një panair me produkte artizanale, i cili vitet e fundit është kthyer në një trend.
Dhe pasi je lodhur duke bërë disa kilometra xhiro, ke pirë kafe dhe ndonjë gotë raki, je gati për drekën.
Dreka në këtë eveniment bëhet në shtëpi vetëm në rast se bie shi. Sepse riti thotë se ajo duhet konsumuar me familjarët për të ndarë sa më shumë gëzim mes njëri-tjetrit, në një ambient të hapur.
Para viteve ’90 të shekullit të kaluar askush nuk drekonte në shtëpi: festa zhvillohej në Parkun Rinia dhe në kodrat e Krastës. Sot kanë ndryshuar kohët; paguan lekët dhe prenoton një lokal ku ke në dispozicion këngëtar live apo një disk-xhokej, dhe ku këndohet kënga: “Më mirë në pyll se në qytet”.
Post-festa
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, cikli pranveror nis të paktën më 22 mars. Në hemisferën veriore baraznata e marsit, që ndodh më 20 ose 21 të muajit, është baraznata e pranverës dhe quhet ekuinoksi pranveror.
– U mbytëm me terma shkencorë. Thjeshtoje pak, mor daj se s’jena t’u marr vesh gja.
Pikërisht më 21, dita dhe nata janë të barabarta: secila nga 12 orë.
– Ja, u kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën, sepse është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta edhe mijëra. Me hamendje e kemi. Por meqë thuhet se është pagan, duhet të jetë të paktën 2000-vjeçar.
Dhe nuk është fare çudi që në këtë festë të jenë përzier shtresime të kohëve të ndryshme: nga besimet e lashta, te ndikimet e mesjetës, e deri te zakonet që kanë mbërritur deri në ditët tona. Sepse, në fund të fundit, Dita e Verës nuk është thjesht një datë në kalendar. Është një mënyrë shqiptare për t’i thënë dimrit: mjaft, tani është radha e diellit.
