Last Updated on 16/06/2025 by adminfjala
Humbja e besueshmërisë — Netanyahu veproi që të dobësojë Iranin për sa kohë që mundet, dhe, duke vepruar kështu, të rifitojë mbështetjen e aleatëve të tij
Nesrine Malik
Ka dy mënyra për t’i parë ngjarjet që kanë ndodhur në Lindjen e Mesme gjatë një viti e gjysmë. Njëra qëndrim thotë se përgjigjja ndaj 7 tetorit 2023 ishte një thyerje me të shkuarën. Sulmi i Hamasit provokoi një përgjigje nga Izraeli që ishte aq hakmarrëse, sa që ishte e pamundur të qëndronte brenda kufijve që vendos e drejta ndërkombëtare, apo të përmbahej gjeografikisht — gjenocidi në Gazë, pushtimi i Libanit jugor, vendosja e zonës tampone në jugperëndim të Sirisë dhe sulmet ajrore që tani po kryhen edhe ndaj Iranit.
Pastaj qëndron shpjegimi tjetër: që këto ngjarje përbëjnë vazhdimësi historike. Paqja rajonale ishte rezultat i një ekuilibri të brishtë që ishte gjithnjë i prekshëm nga prishja. Ajo që e mbante këtë ekuilibër ishte një sërë faktorësh që, të ndërthurur, jepnin pamjen e qëndrueshmërisë. Qeveria aktuale e Izraelit, e fiksuar pas qëllimeve të veta, vendosi të rishkruajë e vetme të ardhmen e rajonit, pa ditur si ta shpjegojë dhe pa vullnet për ta kontrolluar.
Një nga elementët e kësaj paqeje të brishtë ishte prania e fuqive të Gjirit si ndërmjetës. Pajtimi i tyre me Iranin nuk u motivua nga tregtia apo nga afërsia, por nga nevoja pragmatike për stabilitet. Disa shtete të Gjirit madje kaluan një vijë të kuqe historike, duke njohur Izraelin me nënshkrimin e Marrëveshjeve Abraham, ose duke filluar procesin e normalizimit. Tani këto vende gjenden mes dy palëve që përplasen, duke rrezikuar të tjetërsohen nga aleati i tyre kryesor, SHBA, me të cilin kanë lidhje të ngushta ushtarake dhe ekonomike.
Status quo u mbajt edhe nga shtypja e të drejtave të palestinezëve, që ishte e pranueshme nga të gjithë — me përjashtim të palestinezëve, natyrisht. Në një farë kuptimi, çështja palestineze ishte neutralizuar. Por sapo filloi sulmi ndaj Gazës, qëllimet e vërteta të Izraelit u shfaqën para syve të botës, duke rikthyer hijen e Nakbas. Kjo nxiti Iranin dhe përfaqësuesit e tij — Hezbollahun dhe Houthis — që të vepronin si mbrojtës të të drejtave të palestinezëve. Me hyrjen e Iranit në skenë, dhe me Izraelin që u ndje i autorizuar të vepronte pa kufizime, s’kishte më kthim prapa.
Dicka tjetër u thye — justifikimi i veprimeve të Izraelit u zgjerua përtej të besueshmes. Me arsyetimin e sigurisë së hebrenjve, dhe me rëndësinë që Izraeli ka si partner i ngushtë i Perëndimit, SHBA dhe aleatët e tjerë i dhanë atij kartën e bardhë që të mbrohej. Por kjo mbështetje mbështetej tek parimi që Izraeli do të përgjigjej ndaj kërcënimeve me proporcionalitet, që të mos provokonte destabilizim të mëtejshëm. Izraeli jo që u përgjigj joproporcionalisht, por i përdori kërcënimet si armë, duke u kthyer në burim pasigurie, jo vetëm për veten, por edhe për gjithë rajonin.
Mbështetja nga aleatët mbështetej edhe te transparenca. Mbulimi kolosal ushtarak, ekonomik dhe politik që i ofrohej Izraelit, bazohej te ideja që kushdo që ishte në pushtet atje, vepronte me qëllimin e vetëm që të mbronte sigurinë e vendit. Por besimi u thye nga kryeministri aktual, Benjamin Netanyahu, i cili po përdor luftën për të forcuar karrierën e tij politike. Ai jo vetëm që po e bën Izraelin më pak të sigurt, por po përdor pasigurinë si mjet që të shfaqet si mbrojtës.
Marrëdhëniet me aleatët kryesorë u vunë në provë nga Gaza, ndërsa presioni i opinionit publik perëndimor u rrit, i nxitur nga pamjet e fëmijëve që vdesin nga uria, spitaleve që shkatërrohen dhe kufomave që rreshtohen. Me hapjen e një fronti të ri dhe sulmin ndaj Iranit, qeveria izraelite gjen rastin të rivendosë paktin me sponsorët e saj dhe narrativën që e paraqet veten si viktimë, që vepron me mirëbesim. Tani, edhe një herë, vendi vuan sulme dhe humb civilë nga dora e një fqinji agresiv.
Rrëfimet e njerëzve që vdesin nga uria në Gazë, apo që qëllohen ndërsa presin ushqim, u zhdukën nga titujt e lajmeve. Ofensiva e pamëshirshme në Bregun Perëndimor dhe zgjerimi i vendbanimeve të paligjshme u lanë mënjanë. Presioni që po rritej që Izraeli të lejonte më shumë ndihma humanitare dhe të respektonte armëpushimin u zëvendësua nga të njëjtat deklarata pa substancë që pamë edhe në ditët e para të luftës, plus të njëjtat thirrje për “përmbajtje”. Ora u rivendos nga e para.
Sa i përket sulmeve ndaj Iranit, Izraeli duket se ka përdorur mësimet e luftës në Irak, duke deklaruar që po vepron “për vetëmbrojtje” bazuar në inteligjenca që bota duhet t’i pranojë si të vërteta. Sa e afërt ishte rreziku? Kush vendos se kur “sulmet parandaluese” justifikohen? Dhe kush ka të drejtën të përgjigjet ndaj sulmeve të paligjshme e të njëanshme? Ajo që dimë deri tani, është se politika globale funksionon sipas përjashtimeve dhe standardeve të ndryshme të sovranitetit. Po, Irani i ka shkelur detyrimet e mospërhapjes bërthamore, por Izraeli refuzoi që të nënshkruante marrëveshjen që i rregullon.
Dallime të tilla, që më parë ishin më të lehta për t’u anashkaluar, tani dalin më qartë, sepse Izraeli dhe SHBA-të nuk shihen më si “djemtë e mirë” dhe Irani si “pjesë e aksit të së keqes”. Erozioni i besueshmërisë që Izraeli dhe SHBA-të gëzonin si ndërmjetës të ndershëm, që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, i ka komplikuar fushatat e tyre.
Ja ku qëndron lufta e vërtetë që po bën Izraeli: Irani ende ka vullnet politik dhe kapacitet ushtarak që e shqetësojnë Izraelin. Ndaj, me mbylljen e dritares që i jep besueshmëri, Izraeli e sheh të domosdoshme që të dobësojë besueshmërinë politike dhe fuqinë ushtarake të Iranit. Por cilat do të jenë pasojat? A parashikon Izraeli që, pas fushatës, do të tërhiqet i kënaqur me rezultatet? Apo kjo është e pamundur, duke pasur parasysh kundërpërgjigjet që ka provokuar? E gjitha duket si Gaza — përshkallëzim pa fund; ose ndryshim i regjimit pa plan.
Të dy fushatat e Izraelit — si propagandistike, ashtu edhe ushtarake — ndajnë të njëjtën karakteristikë: e shohin Lindjen e Mesme si skenën e tyre të brendshme politike, si vend që shërben për të menaxhuar reputacionin, për të eksperimentuar me “sigurinë” sipas kushteve që vendos vetë. Por rajoni nuk është oborri i shtëpisë së Izraelit. Ai përbëhet nga shtëpi të tjera, me popuj, histori dhe interesa që, gjithnjë e më shumë, po vendosen nën ndikimin e vendit që vendos se qëllimet e veta qëndrojnë mbi të gjitha.
Nesrine Malik është kolumniste e Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi