Fëmijët dhe adoleshentët europianë janë në gjendjen më të dobët të formës fizike në 60 viteve të fundit, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin e tyre aktual dhe të ardhshëm.
Një studim i ri i kryer nga studiues të Universitetit të Zaragozës dhe i publikuar në revistën shkencore Sports Medicine – Open, ka analizuar të dhënat e 417,362 fëmijëve dhe adoleshentëve që i përkasin moshës nga 6 deri në 16 vjeç nga 20 vende evropiane, për periudhën 1965–2023.
Sipas studimit, gjendja fizike e fëmijëve ka pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm që nga vitet 1990, duke përfshirë treguesit kryesorë të shëndetit si forca muskulore, fleksibiliteti, përbërja trupore dhe aftësia kardiorespiratore.
Autorët e studimit kanë konstatuar se forca e pjesës së sipërme të trupit ka rënë që nga vitet 1970, me një periudhë stabël mes viteve 1980 dhe 2000, përpara se të rifillonte rënia. Edhe forca e pjesës së poshtme të trupit, e matur përmes testeve të kërcimit, u përmirësua deri në vitet 1980, por më pas ka shënuar rënie të vazhdueshme.
Një tjetër shqetësim i madh, sipas studiuesve është rritja graduale e yndyrës trupore tek fëmijët, një tregues që, sipas autorëve, shpesh nuk reflektohet plotësisht nga Indeksi i Masës Trupore (BMI). Ndërkohë, përkeqësimi më i madh është evidentuar te fleksibiliteti, i cili ka rënë vazhdimisht, me ritëm edhe më të shpejtë pas vitit 2000.
Sa i përket aftësisë kardiorespiratore, që tregon efikasitetin e zemrës, mushkërive dhe enëve të gjakut në furnizimin e muskujve me oksigjen gjatë aktivitetit fizik – studiuesit theksojnë se, ndonëse rënia duket se është stabilizuar në periudhën 2015–2023, nivelet mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me dekadat e mëparshme.
Autorët vunë në dukje se gjendja fizike është një tregues i rëndësishëm i shëndetit gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Ata kanë paralajmëruar se kjo situatë përfaqëson një mundësi të humbur për përmirësimin e shëndetit të brezave të rinj dhe bëjnë thirrje për më shumë investime dhe politika publike që nxisin aktivitetin fizik tek fëmijët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që fëmijët dhe adoleshentët të angazhohen në të paktën 60 minuta aktivitet fizik të moderuar deri në të fuqishëm çdo ditë, duke përfshirë aktivitete për forcimin e muskujve dhe kockave të paktën tre herë në javë.
Megjithatë, mbi 75% e adoleshentëve evropianë nuk i përmbushin këto rekomandime.
Në mbarë botën, OBSH-ja vëren se mungesa e aktivitetit fizik shkakton rreth 6% të barrës së sëmundjeve nga sëmundjet koronare të zemrës, 7% të diabetit të tipit 2, 10% të kancerit të gjirit dhe 10% të kancerit të zorrës së trashë.
Përveç kësaj, vdekjet e parakohshme (9.0%), vdekshmëria nga të gjitha shkaqet (7.2%) dhe vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare (7.6%) i atribuohen mungesës së aktivitetit fizik./mxh
