Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Mbrëmjen e së shtunës Policia Federale në Ilhabela, në bregdetin e São Paulo, ka arrestuar Ervin Matën, për të cilin ka një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Ministri Alexandre de Moraes i Gjykatës së Lartë Federale (STF). Arrestimi u krye me ndihmën e Policisë Ushtarake lokale.
Sipas Policisë Ushtarake, i dyshuari, i cili kërkohej ndërkombëtarisht për trafik droge, u arrestua në qendër të Ilhabelës, pasi informacionet e inteligjencës tregonin se ai kishte udhëtuar nga rajoni Baixada Santista në bregdetin verior.
Gjatë një patrullimi, Mata u gjet brenda një lokali tregtar, ku u arrestua dhe u dërgua në Stacionin Federal të Policisë në São Sebastião. Gjatë operacionit u sekuestruan dy telefona celularë dhe dokumente që i përkisnin të dyshuarit.
Urdhër-arresti u lëshua nga Moraes shtatorin e kaluar, pasi Shqipëria kërkoi që autoritetet braziliane të ndalonin të huajin. Biznesmeni i madh Ervin Mata akuzohet në vendin e tij për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shoqatë kriminale.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka koordinuar transportin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë, në shtator 2020. Pas kësaj, sipas autoriteteve, ai u largua nga Evropa dhe ishte i arratisur në Brazil.
Njoftim për arrestimin e Matës ka bërë dhe Policia e Shtetit, ku bën me dije se në momentin e arrestimin po përdorte dokumente identifikimi angleze. Pritet ekstradimi i Ervin Matës nga Brazili drejt Shqipërisë./mxh
