Last Updated on 08/08/2025 by adminfjala
Nga ERVIN BAKU
Egnatia dhe Dinamo City, dy skuadra shqiptare, dy prova karakteri në Europë.
Egnatia, në një transfertë shumë të vështirë si Ljubljana, nuk u tremb as nga kundërshtari, as nga gjyqtari, duke marrë një barazim me vlerë fitoreje. Faleminderit skocezit Donald Robertsonit që anulloi penalltinë e dytë të dhënë menjëherë dhe me shumë bujari nga kryesori Beaton. Që ia “nxiu jetën” gjatë gjithë 96 minutave kampionëve tanë. Dinamo City, me një trajner gjeni në stol, humbi vetëm minimalisht në një transfertë “ferri”, duke lënë të hapur çdo shans. Eurogoli spektakolar i Dejvi Bregut na mban fort në lojë. Edhe në këtë sfidë, faleminderit holandezit Richard Martens që anulloi penalltinë e dhënë po menjëherë dhe po me shumë bujari nga kryesori kazak Karabayev. Këto nuk ishin thjesht ndeshje futbolli, por demonstrim force, inteligjence dhe besimi. Dy skuadra që nuk u dorëzuan, që ditën të përballojnë presionin, që luajtë si të barabarta. Duke treguar identitet dhe personalitet europian.
Të Enjten e ardhshme, kthimi në shtëpi nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një mision kombëtar… Të tregojmë se Shqipëria nuk shkon më në Europë për të bërë numër, por për të shkruar histori.
Prandaj, le t’i mbushim stadiumet, në Rrogozhinë dhe në Tiranë. Le të bëhemi lojtari i 12-të, le të krijojmë atmosferën elektrizuese që i shtyn skuadrat drejt play-off-it. Sepse, kur zemra rreh fort dhe besimi nuk shitet, mrekullitë nuk janë çështje fati, por vullneti. Kur zemra nuk njeh kufij, fusha nuk ka asgjë të pamundur.
