Hungaria ka shkelur ligjin europian me masat që kufizonin përmbajtjet për komunitetin LGBTQ, duke stigmatizuar dhe margjinalizuar personat gay dhe trans. Ky është vendimi i dhënë të martën nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Vendimi lidhet me ligjin e diskutueshëm të vitit 2021, i cili ndalonte materialet që konsideroheshin si promovuese të homoseksualitetit dhe ndryshimit të gjinisë në shkolla. Sipas këtij ligji, libraritë detyroheshin të mbështillnin me qese plastike librat me tematikë LGBTQ, ndërsa fëmijëve u kufizohej ndjeshëm aksesi në informacione mbi homoseksualitetin.
Ky zhvillim vjen në një moment politik të rëndësishëm për vendin, pasi drejtimin e Hungarisë e ka marrë lideri i ri, Peter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet e 12 prillit duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të ish-kryeministrit Viktor Orban.
Gjatë qeverisjes së Orban, të drejtat e komunitetit LGBTQ u kufizuan ndjeshëm. Vitin e kaluar, autoritetet ndaluan edhe organizimin e paradave të krenarisë, ndërsa policisë iu lejua përdorimi i kamerave me njohje të fytyrës për të identifikuar pjesëmarrësit.
Në vendimin e saj, Gjykata Evropiane thekson se Hungaria ka shkelur nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian, i cili përcakton vlerat themelore të unionit. Gjithashtu, ligji në fjalë bie ndesh me lirinë për të ofruar dhe marrë shërbime, si dhe me rregullat për mbrojtjen e të dhënave.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si qeveria e re do të veprojë përballë këtij vendimi dhe nëse do të ketë ndryshime në politikat sociale të vendit./mxh
