Negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës kanë hyrë në një fazë të re. Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet të dielën me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenksy në në Mar-a-Lago. Lajmi është konfirmuar nga gazeta Axios, sipas së cilës, takimi vjen në një kohë delikate për dy vendet në konflikt.
Takimi është një shenjë e përparimit të ndjeshëm në bisedime. Më herët, Trump ka deklaruar se do të takohej me Zelenskyn vetëm nëse mendonte se një marrëveshje ishte afër.
Edhe presidenti ukrainas mëngjesin e kësaj të premteje dha një sinjal pozitiv në lidhje me negociatat. Me anë të një postimi në X, ai shkroi se “nuk do të shkojë dëm më asnjë ditë, shumë gjëra do të vendosen para Vitit të Ri.”
Sipas burimeve nga mediat e huja, disa zyrtarë kanë deklaruar se SHBA-të dhe Ukraina janë dakord në shumë pika të marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Kremlini ka konfirmuar se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar kontaktet në nivel zyrtar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri të ditur se këshilltari për politikën e jashtme i presidentit Vladimir Putin, Yuri Ushakov, ka zhvilluar një bisedë telefonike me disa përfaqësues të administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Kremlinit, dokumentet e marra nga pala amerikane për planin e paqes janë duke u analizuar nga autoritetet ruse.
Ndërkohë, gazeta ruse Kommersant raportoi se presidenti Putin u ka thënë disa biznesmenëve të rëndësishëm rusë se mund të jetë i hapur për një shkëmbim territoresh të kontrolluara nga forcat ruse në Ukrainë, por se Moska kërkon kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit.
Megjithatë, situata në terren paraqitet e tensionuar. Banorët ukrainas shprehen skeptikë se një marrëveshje paqeje mund të jetë afër.
Ata theksojnë se bisedimet mes presidentit ukrainas dhe atij rus janë të pashpresa dhe nuk do të sjellin asnjë përmirësim./mxh
