Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka përshkruar çarmatimin e Hamasit si një pengesë kyçe dhe vendimtare për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes të SHBA-së për Gazën, duke theksuar se pa dorëzimin e plotë të armëve dhe infrastrukturës ushtarake nëntokësore të organizatës, nuk mund të ketë përparim.
Duke folur për rrjetin televiziv amerikan Fox News, Netanyahu u pyet se cila është arsyeja që po e vështirëson kalimin në fazën e dytë të planit të Uashingtonit për Gazën.
“Një fjalë: çarmatim”, u përgjigj ai, duke shtuar se Hamasi ishte zotuar të çarmatosej, por refuzon ta bëjë këtë.
Zyrtarët amerikanë kanë pohuar se Hamasi ra dakord të çarmatoset pak para nënshkrimit të fazës së parë të marrëveshjes më 9 tetor. Megjithatë, organizata palestineze e ka mohuar vazhdimisht se ka bërë një angazhim të tillë. Kryeministri izraelit tha se Hamasi ende ka fuqi të konsiderueshme ushtarake.
“Ata ende kanë rreth 20,000 njerëz me kallashnikovë, të cilët i përdorin herë pas here për të ekzekutuar këdo që nuk dëshiron që tirania e tyre të vazhdojë”,tha ai.
Sipas tij, organizata ka rreth 60,000 armë të tipit AK në total.
“Kjo do të thotë çarmatim: marrja e të gjitha këtyre armëve, marrja e tyre nga duart dhe çmontimi i tuneleve terroriste që ata ende kanë – qindra kilometra tunele nëntokësore. Hamasi refuzon ta bëjë këtë”, tha ai.
I pyetur nëse besonte se faza e dytë e planit për Gazën mund të vazhdonte edhe nëse Hamasi nuk pranonte çarmatimin, Netanyahu u përgjigj se duhet t’i jepet një shans. Ai tha se plani i SHBA-së përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në Gaza.
“Po bëhen përpjekje për të formuar një forcë ndërkombëtare. Deri më tani nuk ka dhënë fryte, por ne do t’i japim një shans”, tha ai.
Në mbyllje, kryeministri izraelit la të hapur mundësinë e opsioneve alternative në rast të dështimit diplomatik.
“Nëse mund të bëhet në mënyrën e lehtë, në rregull. Nëse jo, do të bëhet në një mënyrë tjetër”, tha ai, duke nënvizuar se për Izraelin, çarmatimi i Hamasit është një kusht i panegociueshëm për çdo fazë tjetër në menaxhimin e Gazës pas luftës./KM
