Last Updated on 05/03/2026 by Anisa
Publikimi i lajmit për rritjen e mundshme të çmimit të bukës në Korçë ka sjellë reagime të menjëhershme dhe ndërhyrje institucionale.
Gazetari Xhensil Shkëmbi bëri të ditur se pas publikimit në Euronews Albania të informacionit për rritjen e çmimit të bukës nga 120 në 150 lekë, shumica e furrave të bukës në qytet vendosën të mos e aplikojnë këtë rritje, me përjashtim të një furre.
Sipas gazetarit, një ditë më parë ai kishte biseduar me disa pronarë furrash, të cilët pranuan se po mendonin të rrisnin çmimin për shkak të uljes së numrit të konsumatorëve dhe rritjes së shpenzimeve. Megjithatë, pas publikimit të lajmit dhe vëmendjes që mori në publik, shumica e tyre vendosën të mos e ndryshojnë çmimin.
Pas raportimit të kësaj çështjeje, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur kontrolle në furrat e bukës në Korçë për të verifikuar situatën dhe për të mbrojtur konsumatorët, veçanërisht pensionistët dhe qytetarët e tjerë që preken drejtpërdrejt nga çdo rritje e çmimit.
Rasti nxjerr në pah edhe rolin e medias në trajtimin e çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, ku edhe një rritje prej 20 lekësh në çmimin e bukës mund të ketë peshë për shumë familje.

