Nga Leonard Veizi
Çdo vit, më 11 korrik, kalendari ndërkombëtar shënon Ditën Botërore të Popullsisë, një datë e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve demografike dhe ndikimit që rritja e popullsisë ka mbi zhvillimin, mjedisin dhe cilësinë e jetës.
Kjo ditë u vendos pas një momenti simbolik në historinë e njerëzimit: më 11 korrik 1987, popullsia e botës arriti shifrën e 5 miliardë banorëve. Ishte një alarm, por edhe një ftesë për reflektim mbi të ardhmen e planetit.
Sot, në vitin 2026, njerëzimi numëron zyrtarisht rreth 8.3 miliardë banorë. Në më pak se katër dekada, botës iu shtuan më shumë se 3 miliardë njerëz. Ritmi është i paprecedentë, por pas këtyre shifrave fshihet një hartë e thyer, ku paradoksi demografik është bërë më i dukshëm se kurrë.
Ekuacioni i pamundur
Sot nuk flasim më për një rritje uniforme. Bota është ndarë dysh. Në njërën anë, shumë vende të Evropës dhe Azisë Lindore po përballen med një “dimër demografik” – plakje të shpejtë dhe tkurrje të popullsisë. Në anën tjetër, pjesë të Azisë Jugore dhe veçanërisht Afrika Sub-Sahariane po përjetojnë një shpërthim të vërtetë.
India tashmë e ka konsoliduar pozicionin e saj si vendi më i populluar në botë, duke lënë pas Kinën, e cila ka hyrë në një fazë historike të rënies së popullsisë së saj. Ndërkohë, parashikimet e OKB-së tregojnë se më shumë se gjysma e rritjes globale të popullsisë deri në vitin 2050 do të përqendrohet në vetëm tetë vende, kryesisht në Afrikë (si Nigeria, Kongo dhe Etiopia).
Ku qëndron Shqipëria në këtë hartë?
Për ne që jetojmë në këtë cep të Ballkanit, 11 Korriku nuk mund të jetë thjesht një vështrim nga statistikat globale. Shqipëria dhe rajoni po përjetojnë anën e dhimbshme të këtij paradoksi. Të dhënat e fundit të Censusit dhe projeksionet demografike tregojnë se vendi ynë po tkurret me ritme të shpejta, i goditur nga dy kthetra: rënia drastike e lindshmërisë dhe emigracioni galopant i moshave të reja. Ne nuk po përballemi me sfidën se si të ushqejmë “më shumë gojë”, por se si të mbajmë gjallë qytetet dhe fshatrat që po zbrazen e po plaken me shpejtësi.
Çelësi i ekuilibrit mbetet te gratë
Përtej numrave të ftohtë, Kombet e Bashkuara theksojnë vazhdimisht se e ardhmja demografike e planetit është e lidhur pazgjidhshmërisht me të drejtat e grave. Në vendet ku popullsia po rritet në mënyrë të pakontrolluar, sfida kryesore mbetet mungesa e aksesit në shëndetësinë riprodhuese, arsimim dhe planifikim familjar. Statistikat tregojnë se fuqizimi ekonomik dhe arsimimi i vajzave është vërtetuar si “kontraceptivi” më efikas dhe më i shëndetshëm: kur gratë kanë të drejtë të zgjedhin për jetën dhe karrierën e tyre, normat e lindshmërisë stabilizohen natyrshëm, duke u dhënë familjeve dhe shoqërive një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm.
Presioni mbi “Mishin dhe Kockat” e Tokës
Por çfarë do të thotë në praktikë një planet me mbi 8 miliardë banorë?
Nuk është thjesht çështje numrash në një tabelë. Do të thotë miliarda litra ujë të pijshëm çdo ditë, miliarda vakte ushqimi për t’u prodhuar e konsumuar, më shumë energji, banesa, transport, shërbime shëndetësore dhe arsim. Çdo ditë kërkesa për burime natyrore rritet, ndërsa rezervat e Tokës nuk janë të pafundme. Sipas të dhënave të organizatave mjedisore, njerëzimi sot konsumon burime sikur të kishte në dispozicion 1.7 planete si Toka.
Njëkohësisht, këta miliarda njerëz prodhojnë miliarda kilogramë mbetje çdo ditë. Kimikate, plastikë që mbyt oqeanet, mbetje elektronike dhe ndotje industriale që rëndojnë drejtpërdrejt mbi klimën. Planeti po paguan një çmim gjithnjë e më të lartë për mënyrën se si prodhojmë dhe konsumojmë. Emetimet e gazrave serrë po thyejnë tavanet historike, duke sjellë valë të paprecedenta të nxehtit, përmbytje dhe çrregullime të skajshme të motit.
Kremtim apo vetëdije?
Agjencitë ndërkombëtare e quajnë 11 korrikun një ditë për t’u kremtuar. Dar ndoshta nuk është fjala për festë në kuptimin klasik. Është një ditë për të ndaluar e për të reflektuar.
Sfida e vërtetë e shekullit të XXI nuk është thjesht se sa njerëz jetojnë në Tokë, por si jetojnë ata. Si ndahen burimet mes një bote të pasur që konsumon me tepri dhe një bote të varfër që lufton për mbijetesë? A do të jetë në gjendje teknologjia dhe energjia e renovueshme të mbajë në këmbë këtë masë kritike njerëzore pa e djegur përfundimisht shtëpinë tonë të përbashkët?
Prandaj, pyetja që mbetet në fund të kësaj dite është e thjeshtë: më 11 Korrik, a festojmë rritjen tonë numerike, apo ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë e frikshme që kemi ndaj së vetmes shtëpi që na përket të gjithëve – Tokës?
