Nga Leonard Veizi
Ai kishte humbur syrin e majtë, dorën e djathtë dhe dy gishta të dorës së majtë në luftë, por me dorën që i kishte mbetur shtrëngonte një valixhe të vogël ku kishte vendosur një bombë me sahat. Ishte kolonel i Vermahtit (Wehrmacht) dhe shef i Shtabit të Ushtrisë Rezervë. Për shkak të pozitës dhe besimit që gëzonte në hierarkinë ushtarake, ai mundi t’i afrohej Adolf Hitlerit në një distancë prej vetëm dy metrash…
…Gjithçka do të kishte përfunduar sipas planit, nëse një nga oficerët në sallë nuk do të kishte lëvizur padashur valixhen ku ndodhej bomba. Një veprim i vogël, pothuajse i parëndësishëm, ndryshoi rrjedhën e historisë.
Ishte 20 korriku i vitit 1944. Koloneli Klaus Shenk Graf fon Shtaufenberg (Claus Schenk Graf von Stauffenberg) kishte marrë përsipër një nga përpjekjet më të guximshme për të eliminuar udhëheqësin nazist dhe për t’i dhënë fund luftës.
Një grup oficerësh të lartë gjermanë kishte vendosur të vriste Hitlerin, duke besuar se kjo ishte rruga e vetme për të shpëtuar Gjermaninë nga shkatërrimi total. Plani mori emrin “Operacioni Valkyrie” (Unternehmen Walküre) dhe parashikonte që, pas vdekjes së Hitlerit, Ushtria Rezervë të merrte kontrollin e vendit, duke neutralizuar udhëheqjen naziste, Gestapon dhe trupat SS.
Por atentati dështoi. Dështimi solli një valë të madhe arrestimesh, ekzekutimesh dhe hakmarrjeje nga regjimi nazist. Për dekada më pas, historia e komplotit u shoqërua me interpretime të ndryshme, mite dhe versione të shtrembëruara, derisa dokumentet arkivore dhe dëshmitë e të mbijetuarve ndihmuan në rindërtimin e së vërtetës.
Autori amerikan Blejn Tejlor (Blaine Taylor) i ka kushtuar kësaj ngjarjeje librin “Komploti më i madh për të vrarë Hitlerin? – Operacioni Valkyrie”, ndërsa historiani francez Pier Galante (Pierre Galante) botoi në vitin 1981 librin “Operacioni Valkyrie: Komploti i gjeneralëve gjermanë kundër Hitlerit”.
Mbi këtë histori janë realizuar edhe filma, ndër të cilët më të njohurit janë “Shtaufenberg” (2004) dhe “Valkyrie” (2008).
“Shtaufenberg”
“Shtaufenberg” është një film televiziv gjermano-austriak i vitit 2004, prodhuar nga televizioni gjerman ARD (Das Erste). Filmi përqendrohet te figura e kolonelit Klaus fon Shtaufenberg dhe te komploti i 20 korrikut 1944 për vrasjen e Adolf Hitlerit.
Filmi u transmetua për herë të parë më 25 shkurt 2004 në televizionin gjerman ARD.
Në qendër të historisë është transformimi i Shtaufenbergut nga një oficer besnik i betuar ndaj Hitlerit në një kundërshtar të vendosur të regjimit nazist. Ai informohet nga gjenerali Henin fon Treskou (Henning von Tresckow) për krimet e luftës të kryera nga gjermanët në Frontin Lindor dhe fillon të bindet se rrëzimi i Hitlerit është një detyrim moral.
Më 20 korrik 1944, ai udhëton me bombën e vendosur në çantë drejt selisë së Hitlerit, “Strofkës së Ujkut” (Wolfsschanze), pranë Rastenburgut në Prusinë Lindore. Bomba shpërthen, por Hitleri mbijeton.
Nga shpërthimi vdesin katër persona, ndërsa Hitleri pëson vetëm plagë të lehta.
Filmi u vlerësua me çmimin për filmin më të mirë në “Deutscher Fernsehpreis” (Çmimet e Televizionit Gjerman).
Në rolet kryesore interpretojnë:
-Sebastian Koh (Sebastian Koch) – Klaus fon Shtaufenberg;
-Remo Xhirone (Remo Girone) – Ludvig Bek;
-Ulrih Tukur (Ulrich Tukur) – Henin fon Treskou;
-David C. Baners (David C. Bunners) – Albreht Mertz fon Kvirnhajm.
“Valkyrie”
“Valkyrie” është një film thriller historik i vitit 2008, me regji të Brajën Singër (Bryan Singer), skenar nga Kristofer MekKueri (Christopher McQuarrie) dhe Nejthan Aleksandër (Nathan Alexander), me protagonist Tom Kruz (Tom Cruise).
Filmi paraqet komplotin e 20 korrikut 1944 nga këndvështrimi i kolonelit Klaus fon Shtaufenberg dhe përshkruan përpjekjen për të vrarë Hitlerin dhe për të përdorur planin “Valkyrie” për të marrë kontrollin e Gjermanisë.
Filmi u shpërnda nga United Artists dhe në rolin kryesor luan Tom Kruz si koloneli Shtaufenberg.
Në kast interpretojnë gjithashtu:
-Kenet Branah (Kenneth Branagh);
-Bill Naj (Bill Nighy);
-Edi Izard (Eddie Izzard);
-Terens Stamp (Terence Stamp);
-Tom Uilkinson (Tom Wilkinson).
Filmi shkaktoi fillimisht debate në Gjermani për shkak të lidhjes së Tom Kruz me lëvizjen Scientology, e cila shihej me rezerva nga një pjesë e opinionit publik gjerman. Megjithatë, produksioni mori leje për të xhiruar në vende historike, përfshirë Bendlerblock-un në Berlin, ku ndodhej qendra e rezistencës ushtarake kundër Hitlerit.
Filmi mori vlerësime përgjithësisht pozitive dhe realizoi rreth 201 milionë dollarë të ardhura në mbarë botën.
Koloneli
Në jetëshkrimin e tij, Klaus fon Shtaufenberg (Claus von Stauffenberg) paraqitet si një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës ushtarake gjermane kundër Hitlerit. Ashtu si shumë oficerë të tjerë të lartë të ushtrisë gjermane, ai e pa me shqetësim ngritjen e nazizmit dhe përqendrimin e pushtetit në duart e Adolf Hitlerit. Megjithatë, kur Hitleri erdhi në pushtet në vitin 1933, Shtaufenbergu bëri betimin tradicional të ushtarakut gjerman për besnikëri ndaj Fyhrerit.
Në fillim ai nuk ishte kundërshtar i hapur i regjimit. Ai mori pjesë në pushtimin e Polonisë në vitin 1939 dhe, si shumë ushtarakë të tjerë të kohës, besonte se Gjermania kishte të drejtë të zgjeronte hapësirën e saj politike dhe ushtarake. Më pas mori pjesë edhe në fushatën kundër Francës në vitin 1940.
Ai fillimisht admironte aftësitë strategjike të Hitlerit si komandant ushtarak, por gradualisht filloi të shqetësohej nga ambiciet e pakufizuara të diktatorit dhe nga mënyra brutale e zhvillimit të luftës.
Vendimi i tij për t’iu bashkuar rezistencës nuk erdhi menjëherë. Ai u formua gradualisht nga përvoja e luftës, sidomos pas pushtimit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, ku ushtria gjermane u përfshi në një luftë shkatërruese të shoqëruar me krime masive ndaj popullsisë civile, hebrenjve, rusëve dhe ukrainasve.
Nga viti 1942, bindja se Hitleri po e çonte Gjermaninë drejt katastrofës u bë gjithnjë e më e fortë.
Në vitin 1943, gjatë fushatës në Afrikën e Veriut, Shtaufenbergu u plagos rëndë nga një sulm ajror aleat. Ai humbi syrin e majtë, dorën e djathtë dhe dy gishta të dorës së majtë. Pavarësisht plagëve të rënda, ai u kthye në shërbim dhe kjo gjendje e re fizike nuk e pengoi të merrte një rol aktiv në përpjekjen për të rrëzuar Hitlerin.
Situata
“Operacioni Valkyrie” u bë një nga episodet më të njohura të rezistencës gjermane kundër nazizmit dhe, pas luftës, mori një rëndësi të veçantë në kujtesën historike të Gjermanisë.
Vrasja e Hitlerit nuk synonte vetëm eliminimin e një diktatori, por edhe t’i tregonte botës se brenda vetë Gjermanisë kishte njerëz që kundërshtonin regjimin nazist.
Gjatë vitit 1943 dhe fillimit të vitit 1944, pakënaqësia në radhët e elitës ushtarake gjermane u rrit ndjeshëm. Humbjet në Frontin Lindor, katastrofa e Stalingradit dhe përparimi i pandalshëm i aleatëve e bënë të qartë se lufta po shkonte drejt humbjes.
Planet për një grusht shteti u koduan me emrin “Walküre”, por vrasja e Hitlerit ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ai ndryshonte shpesh oraret e takimeve, kufizonte aksesin dhe kishte forcuar masat e sigurisë pas disa përpjekjeve të mëparshme për ta eliminuar.
Në qendër të komplotit ishin:
-Ludvig Bek (Ludwig Beck) – ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë;
-Henin fon Treskou (Henning von Tresckow) – një nga organizatorët kryesorë të rezistencës;
-Fridrih Olbriht (Friedrich Olbricht) – drejtues i strukturave të Ushtrisë Rezervë;
-Klaus fon Shtaufenberg – oficeri që do të vendoste bombën.
Edhe feldmareshali Ervin Romel (Erwin Rommel), një nga komandantët më të famshëm gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, kishte arritur në përfundimin se Hitleri duhej të largohej nga pushteti. Megjithatë, roli i tij në komplot mbetet objekt debati historik.
Ngjarja
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, koloneli Klaus fon Shtaufenberg shërbente në Afrikën e Veriut, ku u plagos rëndë nga një sulm ajror i aleatëve. Pas kthimit në Gjermani, zhgënjimi i tij ndaj drejtimit të luftës dhe ndaj Hitlerit u thellua.
Ndërkohë, një tjetër përpjekje për vrasjen e Hitlerit ishte organizuar nga gjenerali Henin fon Treskou. Ai kishte tentuar të vendoste një bombë në avionin e Hitlerit, të fshehur në një kuti që paraqitej sikur përmbante shishe alkooli. Pajisja nuk funksionoi dhe avioni u ul i sigurt.
Pas kësaj, Gestapoja arrestoi disa anëtarë të rezistencës, përfshirë gjeneralin Hans Oster.
Shtaufenbergu u përfshi më drejtpërdrejt në plan dhe u caktua në një pozitë që i jepte mundësi të takohej personalisht me Hitlerin. Ai propozoi përdorimin e planit “Valkyrie”, i cili fillimisht ishte hartuar si një masë emergjente për të ruajtur rendin e brendshëm, por që komplotistët e ndryshuan për ta përdorur si mjet për rrëzimin e regjimit nazist.
Për ta vënë në zbatim planin, ata kishin nevojë për mbështetjen e gjeneralit Fridrih From (Friedrich Fromm), komandantit të Ushtrisë Rezervë. Frommi nuk pranoi të përfshihej drejtpërdrejt, por premtoi të mos ndërhynte.
20 korrik 1944 – Shpërthimi në “Strofkën e Ujkut”
Më 20 korrik 1944, Shtaufenbergu udhëtoi drejt selisë së Hitlerit në “Strofkën e Ujkut” (Wolfsschanze), pranë Rastenburgut në Prusinë Lindore.
Për shkak të temperaturave të larta të verës, mbledhja nuk u zhvillua në bunkerin e zakonshëm prej betoni, por në një barakë me dritare të hapura. Ky ndryshim do të ishte vendimtar, sepse zvogëloi fuqinë shkatërruese të shpërthimit.
Në sallë ndodheshin Hitleri, 21 oficerë dhe dy stenografë. Shtaufenbergu vendosi valixhen me eksploziv pranë këmbës së tavolinës ku qëndronte Hitleri. Më pas ai doli nga dhoma me pretekstin e një telefonate urgjente. Pak çaste para shpërthimit, oficeri Hajnc Brandt (Heinz Brandt) lëvizi valixhen pa e ditur se çfarë përmbante ajo. Ajo u vendos pas një këmbë të trashë të tavolinës, e cila e mbrojti pjesërisht Hitlerin nga vala e shpërthimit.
Bomba shpërtheu pas pak minutash. Katër persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën. Hitleri mbijetoi me plagë relativisht të lehta.
Rënia e komplotit
I bindur se Hitleri kishte vdekur, Shtaufenbergu u largua nga “Strofka e Ujkut” dhe fluturoi drejt Berlinit për të nisur fazën tjetër të planit. Në selinë e Ushtrisë Rezervë në Bendlerblock, situata u bë e paqartë. Disa komplotistë këmbëngulnin se Hitleri kishte vdekur, ndërsa të tjerë kërkonin prova.
Kur u përhap lajmi se Fyhreri kishte mbijetuar, plani filloi të shembej.
Majori Oto Ernst Remer (Otto Ernst Remer), i cili fillimisht po zbatonte urdhrat e komplotistëve, foli me Hitlerin në telefon përmes ministrit të Propagandës Jozef Gebels (Joseph Goebbels). Duke njohur zërin e Hitlerit, ai kuptoi se ishte mashtruar dhe u kthye kundër puçistëve.
Komplotistët u rrethuan në Bendlerblock.Gjenerali From mori kontrollin e situatës dhe, në për të shpëtuar veten, organizoi një gjyq të improvizuar ushtarak. Ai dënoi me vdekje Shtaufenbergun, Olbrihtin, Albreht Mertz fon Kvirnhajm (Albrecht Mertz von Quirnheim) dhe Verner fon Heften (Werner von Haeften). Në orët e para të mëngjesit të 21 korrikut 1944, ata u ekzekutuan në oborrin e Bendlerblock. Sipas dëshmive historike, fjalët e fundit të Shtaufenbergut ishin: “Rroftë Gjermania jonë e shenjtë!”
Pse quhej “Valkyrie”?
Emri i operacionit vinte nga mitologjia nordike.
Në mitologjinë gjermano-skandinave, Valkyriet (Valkyries) ishin figura femërore që shërbenin zotin Odin dhe zgjidhnin luftëtarët e vrarë në betejë për t’i çuar në sallën madhështore të Valhallës (Valhalla). Valhalla ishte “salla e të rënëve”, vendi ku, sipas legjendave, shkonin heronjtë dhe mbretërit luftëtarë.
Nazistët e përdorën këtë emërtim për një plan ushtarak, por pas luftës ai u bë simbol i një prej përpjekjeve më të mëdha të brendshme për t’i dhënë fund diktaturës së Hitlerit.
“Operacioni Valkyrie” mbeti një nga momentet më dramatike të historisë së Luftës së Dytë Botërore: një bombë që shpërtheu, por nuk ndryshoi dot rrjedhën e luftës.
