Nga Leonard Veizi
Më 22 shtator, në orën 20:19, Toka mbërrin në një prej atyre pikave të rralla ku qielli duket sikur pezullohet për pak çaste: është ekuinoksi i vjeshtës. Dielli kalon mbi ekuatorin qiellor, duke e ndarë planetin në një raport të barabartë mes dritës dhe errësirës — 12 orë dritë e 12 orë natë. Për ne në hemisferën veriore, ky është çasti i saktë kur vera dorëzon çelësat dhe nis vjeshta astronomike, ndërsa në hemisferën jugore çel pranvera. I njëjti Diell, e njëjta Tokë, dy stinë të kundërta…
…Përpara se të kishim orë e kalendarë elektronikë, qytetërimet e hershme vëzhgonin me kujdes këto kthesa të qiellit. Pas këtij informacioni të thjeshtë fshihet një mekanizëm kolosal: Toka vazhdon orbitën e saj e anuar në bosht, dhe prej kësaj lëvizjeje të heshtur ndryshon ritmi i dritës.
Nga nesër, dita nis të tkurret me nga 2–3 minuta çdo ditë. Nuk është një ndryshim dramatik, por i gradualshëm. Mëngjeset bëhen më të ftohta, hijet më të gjata dhe perëndimet më të shpejta. Këtë rënie drite trupi e ndjen para kalendarit: rritja e melatoninës dhe rënia e serotoninës na bëjnë më të ngadaltë e më të brendshëm. Nuk është dembelizëm, është biologji — natyra thjesht po na ul volumin.
Ndoshta pikërisht këtu ekuinoksi bëhet më interesant për njeriun sesa për astronomin. Kemi një prirje për ta kërkuar ekuilibrin si një gjendje të përhershme në punë, marrëdhënie e familje. Por natyra na tregon diçka tjetër: ekuilibri është vetëm një çast brenda një lëvizjeje. Peshorja prishet shpejt dhe fillon të anohet në favor të natës, deri sa ekuinoksi i pranverës ta përmbysë sërish këtë drejtim.
Nëse vera na mësoi të rritemi, vjeshta na mëson të mbledhim. Ajo është stina e së vërtetës dhe e qartësisë. Njësoj si pemët që kryejnë një “audit” për të hequr dorë nga gjethet e tepërta, edhe ne nxitemi të lirojmë barrët — zakonet që na lodhin, bisedat që na shterojnë energjinë dhe pritshmëritë e papërmbushura. Rënia e gjetheve nuk është dështim, por strategji mbijetese.
Kur drita natyrale tërhiqet, zëvendësohet nga një dritë tjetër: më e pjerrët, më e artë, që nuk djeg por zbulon. Është koha e dritës artificiale, e librave të rinj, e rutinave më të ngadalta të mëngjesit dhe e kafenetëve ku njerëzit ulen më afër njëri-tjetrit.
Ekuinoksi i 22 shtatorit është një pikë matjeje mes asaj që po largohet dhe asaj që po vjen. Ai na kujton se asgjë nuk qëndron përgjithmonë në mes, por edhe se nata më e gjatë e dhjetorit do të ndalojë së zgjaturi e do të tërhiqet sërish. Si gjithmonë.