Nga Leonard Veizi
Kritika letrare thotë se disa personazhe jetojnë vetëm në libra, sepse të tillë janë bërë. Por njerëzit që merren me anën sociale thonë se disa prej ktyre personazheve arrijnë t’i braktisin librat për t’u vendosur përgjithmonë në ndërgjegjen e njerëzimit.
Po Don Kishoti ku ndodhet në këtë diskurs filozofik?
Katër shekuj pas Migel de Servantesit, kalorësi i Mançës nuk është një kujtim letrar, por një provokim i gjallë: çfarë vlere ka një realitet që na detyron të jemi cinikë, përballë një iluzioni që na mëson të jemi fisnikë?…
…Romani “Don Kishoti i Mançës” u botua në dy pjesë, më 1605 dhe 1615, në një Spanjë perandorake në rënie. Ishte koha kur miti i nderit dhe i trimërisë po varrosej nga një botë e re e parave, e burokracisë dhe e hipokrizisë. Pikërisht në atë gropë mes epokave, Servantesi nuk shkroi një parodi. Ai shkroi aktakuzën më të fuqishme kundër realizmit si dorëzim.
Ai krijoi një njeri qesharak vetëm në dukje: Alonso Kihanon, një hidalgo i varfër i Mançës, i cili pasi ka gllabëruar gjithë librat e kalorësisë, vendos të mos e pranojë më botën ashtu siç është. Merr emrin Don Kishoti i Mançës dhe shpall luftë. Por çmenduria e tij është e vetmja mendje e kthjellët në një botë të çmendur.
Sepse Don Kishoti nuk gënjen. Ai zgjedh. Ai sheh mullinj, por zgjedh gjigantë. Sheh hane, por zgjedh kështjella. Sheh Dulçinenë aty ku të tjerët shohin një fshatare të rëndomtë, Aldonza Lorencon. Ky nuk është mashtrim, është akt moral. Është refuzimi për të jetuar në një realitet të zvogëluar. Dhe pikërisht këtu Servantesi përmbys gjithçka: ai që humbet çdo betejë me botën, fiton të vetmen betejë që ka rëndësi, atë me vetveten.
Përballë tij qëndron Sançua, njeriu-tokë, njeriu-bark, njeriu-arsye e shëndoshë. Sanço Pança kërkon bukë, gomarë, ishullin e premtuar. Ai është ne, kur jemi të matur, llogaritarë dhe të vegjël. Por gjenialiteti i Servantesit është pikërisht metamorfoza e Sancos: gjatë rrugës, edhe realisti infektohet nga ëndrra. Sepse asnjë njeri nuk mund të mbijetojë vetëm me fakte. Pa një iluzion që e tërheq përpara, realiteti është vetëm mbijetesë.
Prandaj të qeshësh me Don Kishotin dhe të ndalesh te e qeshura është ta kesh keqkuptuar veprën. Servantesi qesh me të, po. Por e do. E respekton. Sepse e di një të vërtetë që bota pragmatike e urren ta pranojë: një shoqëri pa Don Kishotë mund të jetë më funksionale, më e rregullt, më e parashikueshme, por është shpirtërisht e vdekur.
Çdo epokë prodhon Don Kishotët e vet dhe i quan ëndërrimtarë, naivë, të humbur. Pastaj, pasi bota ndryshon pikërisht prej tyre, i quan profetë. Historia nuk është bërë nga realistët që u përshtatën, por nga iluzionistët që refuzuan të përshtaten.
Don Kishoti është filozofia e humbjes fisnike. Ai na mëson se vlera e një beteje nuk matet me fitoren, por me dinjitetin e motivit. Në një kohë që mat gjithçka me sukses, me like, me pushtet dhe me para, ai na kujton se ka beteja që duhen zhvilluar pikërisht sepse janë të humbura. Përndryshe, bota do të na ketë mundur pa luftuar fare.
Edhe ardhja e tij në shqip është një akt rezistence kulturore. Kryevepra më e madhe e letërsisë botërore nuk erdhi si import i shpejtë, por si vepër ndërtuar me mundim.
Hyrjen e parë e bëri Fan Noli në vitin 1933 në Boston, me Don Kishoti i Mançës – Pjesa e Parë. Noli nuk përktheu fjalë për fjalë, por e shqipërpi duke i dhënë shpirt veprës. I dha shqipes një Servantes ironik, të gjallë, popullor.
Punën me Pjesën e Dytë e mbylli, gati gjysmë shekulli më vonë, Petro Zheji në vitin 1977 më Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Zheji e solli Servantesin barok, filozofik dhe labirintik, më pranë origjinalit spanjoll.
Kështu, Don Kishoti i plotë në shqip ka dy baballarë: Noli i dha zemrën, Zheji i dha mendjen. Dhe kjo dëshmon se kryeveprat nuk përkthehen, ato ribëhen.
Në fund, Don Kishoti mbetet pasqyra jonë më e ndershme. Ai lufton me gjigantë që askush tjetër nuk i sheh. Por pyetja nuk është nëse gjigantët ekzistojnë. Pyetja është: a kemi ne ende kurajën t’i shohim?
