Last Updated on 22/09/2026 by Anisa
Nga Leonard Veizi
Ka një pyetje që filmi “E Pafalshme” nuk e thotë kurrë me zë të lartë, por e lë të rëndojë mbi çdo skenë: kur e ka shlyer vërtet një njeri fajin e tij?…
Sandra Bullok luan Rut Slejterin, një grua që del nga burgu pas 20 vitesh për vrasjen e një oficeri policie. Në letër, drejtësia është vënë. Dënimi është kryer. Në praktikë, dënimi i dytë sapo ka filluar – ai i shoqërisë.
Dhe këtu regjisorja Nora Fingshaidt e godet në thelb hipokrizinë tonë kolektive. Ne flasim me patos për ri-integrim, për shanse të dyta, për drejtësi rehabilituese. Por në çastin që një ish-e burgosur kërkon punë, kërkon një dhomë me qira, kërkon të ulet në një autobus pa e parë të gjithë me dyshim, shoqëria bëhet gjyqtarja më e pamëshirshme. Ligji të jep një datë lirimi. Njerëzit, kurrë.
Ruti i Bullokut nuk është heroinë për t’u mëshiruar. Dhe kjo është zgjedhja më e guximshme e filmit. Ajo nuk del nga burgu e penduar, e ëmbël dhe e gatshme për t’u dashur. Ajo është e mbyllur, e vrazhdë, e ngurtë, gati anti-patike. Nuk qesh. Nuk shpjegon. Nuk kërkon që ta duam. Luan me një përmbajtje që e kemi parë rrallë te Bullok, larg komoditetit të komedive romantike ku e njohëm. Është një grua që ka harruar si jetohet jashtë dhe që trupi i saj ende ecën si të ishte brenda qelisë.
Sepse filmi nuk është i interesuar të na bindë nëse Ruti është e pafajshme. Ne e dimë që nuk është. Është i interesuar të na pyesë: a ka të drejtë edhe një fajtore të ketë një jetë pasi e ka paguar fajin?
Narracioni ecën me dy linja që përplasen vazhdimisht. Në të tashmen, Ruti kërkon motrën e saj të vogël, Kejti Slejterin, të cilën e la 5 vjeçe dhe që tani është birësuar nga një familje tjetër dhe nuk e mban mend. Në të shkuarën, zbulohet ngadalë krimi – jo si një akt gjakftohtësie, por si një zinxhir paniku, varfërie dhe dhune institucionale që e shtyu një vajzë 19-vjeçare drejt një tragjedie.
Dhe aty rrotullohet boshti moral i filmit. Pyetja nuk është më “çfarë bëri Ruti?”, por “çfarë i bënë Rutit që ta bënte atë?”.
Titulli origjinal, “The Unforgivable”, në shqip, gjatë trasmetimit ne television, u përkthye saktë si “E Pafalshme”. Por kush është e pafalshmja këtu? Vepra? Gruaja? Apo shoqëria që nuk di të falë?
Në një vend si i yni, ku etiketa “ish-i burgosur” është një damkë e përjetshme dhe ku për një grua damka është dyfish më e rëndë, filmi tingëllon edhe më aktual. Ne e kemi të lehtë të kërkojmë dënime më të ashpra. E kemi shumë më të vështirë të pranojmë që dikush, pasi ka dalë, të bëhet fqinji ynë, kolegu ynë, prindi në mbledhjen e shkollës.
“E Pafalshme” nuk ofron falje sentimentale. Nuk të kërkon të qash dhe të thuash “e fal”. Të kërkon diçka shumë më të vështirë: të pranosh se një njeri nuk mund të jetë përgjithmonë peng i momentit më të keq të jetës së tij.
Në fund, kur Ruti dhe Kejti takohen, nuk ka muzikë të ëmbël që do të vlente për një “happy end”. Ka vetëm një heshtje të ngarkuar dhe një pyetje që mbetet hapur për ne në sallë: nëse ligji e ka liruar, pse ne vazhdojmë ta mbajmë në burg?
