Nga Leonard Veizi
Një malësor qëllon në ajër me pushkë e pastaj thërret me pëllëmbën pas veshit:
— O heeej… Ndizni dritat e Partisë, o heeej!
Pas thirrjes, dikush në errësirë preku çelësin. Dritat e varura ngado u ndeizën njëherazi, duke krijuar atmosferën e një feste. Dhe kësaj feste nuk kishte si t’i mungonte kënga që nisi vrullshëm:
“Enver Hoxha tungjatjeta / sa këto male e sa këto shkrepa…”
Është një fragment nga filmi artistik “Lumë drite”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, kushtuar elektrifikimit të Shqipërisë.
Më 25 tetor 1970, kjo fushatë u shpall zyrtarisht e mbyllur. Shqipëria deklaroi përfundimin e elektrifikimit të plotë të 2.547 fshatrave. Vetëm tre vjet më parë, në 1967, ishte elektrifikuar rreth 29 për qind e tyre. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, rrjeti ishte shtrirë deri në skajet më të largëta të vendit. Ishte një arritje e madhe infrastrukturore, që ndryshoi jetën e mijëra familjeve. Por në Shqipërinë e atyre viteve, edhe drita duhej të kishte një autor politik.
Lenini, Enver Hoxha dhe formula e komunizmit
Në vitin 1970, Shqipëria përfitonte ende nga ndihma kineze, e cila kishte marrë rëndësi parësore pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Pajisje, materiale dhe makineri ndihmuan projektet industriale dhe energjetike. Pas shifrave të elektrifikimit fshihej një punë kolosale organizative: mijëra shtylla, kilometra linja dhe instalime në zona të thella malore.
Enver Hoxha mbështetej në një formulë të njohur të Leninit: socializëm plus elektrifikim baras me komunizëm. Për udhëheqjen shqiptare, përfundimi i elektrifikimit të fshatrave ishte hapi vendimtar drejt realizimit të kësaj teze.
Por historia nuk e ndoqi ekuacionin e ideologjisë. Shqipëria u elektrifikua, ndërsa komunizmi nuk solli shoqërinë e begatë dhe të barabartë që premtonte propaganda. Drita hyri në shtëpi, por bashkë me të nuk hynë automatikisht mirëqenia, liria dhe mundësia për një jetë më të mirë.
Ironia është se një vend që e kishte çuar energjinë elektrike në çdo fshat, do të vazhdonte të përballej me kufizime të rënda ekonomike. Elektrifikimi ishte kusht i domosdoshëm për zhvillimin, por jo zëvendësues i tij.
Edhe kinemaja ndezi dritat
Kinostudioja “Shqipëria e Re” e kuptoi shpejt se një ngjarje e tillë nuk duhej të mbetej vetëm në kronikat e lajmeve. Ajo duhej të hynte edhe në imagjinatën kolektive, përmes filmit.
“Lumë drite”, prodhim i vitit 1975, me regji të Ismail Zhabjakut dhe skenar të Agim Cergës, i përket pikërisht kësaj periudhe kur kinemaja pasqyronte transformimet e jetës në fshat. Edhe pse subjekti përqendrohet te një mësues dhe një nxënës që ka braktisur shkollën, titulli dhe atmosfera e veprës lidhen natyrshëm me simbolikën e dritës.
Kinemaja nuk u mjaftua me një film. Ndërtimi i hidrocentraleve, shfrytëzimi i lumenjve dhe transformimi i peizazhit u kthyen në tema të ekranit. Filma si “Yje mbi Drin” dhe “Shirat e vjeshtës” pasqyrojnë përpjekjen për të heroizuar punën në veprat e mëdha energjetike, përfshirë hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit.
Kështu, industria e filmit ndihmoi në krijimin e një kujtese kolektive, ku puna e rëndë, kantieret, brigadat dhe makineritë shfaqeshin si pjesë e një marshimi të pandalshëm drejt së ardhmes. Ishte një realitet i filtruar nga këndvështrimi i kohës: kamera regjistronte arritjen, por rrallë ndalej te kostoja njerëzore, kufizimet apo kontradiktat e sistemit.
Drita ishte e popullit, merita e Partisë
Përfundimi i elektrifikimit të plotë, më 25 tetor 1970, mbetet një arritje konkrete e Shqipërisë. Pas saj qëndronin specialistët, elektricistët, inxhinierët dhe punëtorët që ngritën shtyllat e shtrinë kabllot, shpesh në kushte të vështira. Qëndronin edhe familjet që prisnin të shihnin, për herë të parë, llambën të ndizte dhomën pa vajgurin e zakonshëm.
Por pushteti e kishte gati interpretimin e vet. Në komunikatën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, përfundimi u shpall si fitore e vijës së Partisë dhe e udhëheqjes së Enver Hoxhës. Vetë shtypi i kohës e quante dritën elektrike edhe “dritë të Partisë”.
Sot, pas më shumë se gjysmë shekulli, mund ta lexojmë këtë histori pa rënë as në glorifikimin e dikurshëm, as në mohimin e një arritjeje reale. Elektrifikimi ndryshoi jetën e fshatit shqiptar. Propaganda, nga ana tjetër, u përpoq ta bindte popullin se bashkë me dritën elektrike kishte mbërritur edhe lumturia e premtuar.
Dhe ndoshta këtu qëndron kuptimi më i saktë i asaj thirrjeje kinematografike:
— Ndizni dritat e Partisë, o heeej!
Dritat u ndezën. Por historia tregoi se një vend mund të ndriçohet nga llambat elektrike pa u çliruar nga errësira e një sistemi që pretendonte monopolin e gjithçkaje.
