Nga Leonard Veizi
Flasim gjithë ditën për humanizmin. Madje edhe natën nuk e kursejmë. Është bërë biseda jonë thelbësore, jetësore, dhe mbi të gjitha populiste.
Po çfarë do të thotë “human”?
Fjala vjen nga latinishtja humanus – që i përket njeriut, i civilizuar, i dhembshur, i mëshirshëm. Aha, tani na u mbush mendja.
Se për të nxjerrë citate nga enciklopeditë dhe për të rreshtuar thënie të shkëputura nga autorë botërorë, jemi kampionë. Ka mijëra faqe që në pikë të mëngjesit të ofrojnë një shprehje të koncentruar mbi humanizmin. Që edhe po e harrove, ta kujtojnë.
Por sa human është në të vërtetë qenia më inteligjente në tokë, kur në 3500 vitet e fundit të historisë së dokumentuar, raporti i luftës ndaj paqes është dërrmues? Thuhet se vetëm rreth 250 vite kanë qenë pa luftë. Pjesa tjetër është gjak, tym dhe rrënoja.
Atëherë, cila shprehje vlen më shumë? Ajo e enciklopedisë, apo ajo tjetra, e vjetra: Homo homini lupus – njeriu për njeriun ujk? Domethënë kafshë.
Ha debat, se ia vlen të sillesh pak vërdallë nëpër togfjalësha, qofshin të kuptueshëm apo të papërceptueshëm.
Në këtë fillim mijëvjeçari, ku përparimi teknologjik ka tejkaluar çdo imagjinatë, pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë dhe brutale: a ka përparuar me të njëjtin ritëm edhe shpirti i njeriut?
Historia nuk jep shumë shpresa.
Nëse do ta shihnim historinë si një film të gjatë kronologjik, ngjyrat e errëta të luftës dhe shkatërrimit do të mbulonin pamëshirshëm dritën e zbehtë të paqes. Çfarë humanizmi është ai që zgjedh konfliktin mbi bashkëjetesën, shkatërrimin mbi ndërtimin, armën mbi fjalën?
Filozofia e ka ngritur me kohë këtë dilemë. Thomas Hobbes, duke parë egërsinë e kohës së tij, nuk e gjeti metaforën te njeriu, por te ujku. Dhe kishte të drejtë. Kafsha lufton për mbijetesë. Njeriu lufton për ide, për territore, për besime, për pushtet, madje edhe për krenari boshe. Në emër të tyre ka djegur qytete, ka skllavëruar kombe dhe e ka bërë tokën të qajë.
Edhe feja, që predikon dashurinë, është përdorur si pretekst për masakër. Kryqëzatat, luftërat fetare në Europë, inkuizicioni, terrorizmi modern – të gjitha në emër të një Zoti që predikon paqen.
Hajde qyfyre, hajde.
Ironia bëhet edhe më therëse kur sheh shkencën. Gjithçka që mund të shërbente për jetën, vihet menjëherë në shërbim të vdekjes. Fizika bërthamore, raketat balistike, inteligjenca artificiale – gjejnë zbatim të parë në industrinë e luftës. Vetë “Projekti Manhattan” është dëshmia më e hidhur. “Unë jam bërë Vdekja, shkatërruesja e botëve”, tha Oppenheimer, babai i bombës atomike, duke cituar Bhagavad Gita-n, sapo pa dritën e parë të apokalipsit që kishte krijuar.
Po atëherë, a duhet ta përkufizojmë njeriun vetëm përmes dhunës?
Jo plotësisht.
Brenda tij ka një dualitet të përhershëm: drita dhe errësira. E njëjta dorë që hodhi bombën në Hiroshima u ngrit për të ndihmuar të mbijetuarit. E njëjta mendje që shpiku armët biologjike, shpiku edhe vaksinat. Historia njeh edhe anën tjetër: njerëz që flijuan jetën për të tjerët, që sfiduan diktaturat për dinjitet, që ngritën qytete nga hiri.
Pra, a është njeriu human? Në shqipen e pastër pyetja shtrohet më drejt: A është njeriu njeri?
Humanizmi nuk është trashëgimi biologjike e garantuar. Është zgjedhje. Dhe këtu qëndron barra e rëndë e përgjegjësisë sonë kolektive. Nëse e lëmë instinktin të mposhtë arsyen, historia do të rrotullohet si një rreth vicioz. Nëse ushqejmë vetëdijen, edukimin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit, atëherë mund ta këpusim këtë zinxhir gjaku që përshkon shekujt.
Sot nuk kemi më alibi për barbarinë. Në një botë ku informacioni qarkullon me shpejtësinë e dritës dhe ndërgjegjja globale është më e zgjuar se kurrë, paqja nuk është më utopi, por domosdoshmëri. Luftërat moderne nuk kanë fitimtarë. Të gjithë humbasin. Prandaj filozofia e re thotë: e vetmja mënyrë për të fituar betejën, është ta shmangësh atë.
Ndaj pyetja nuk është më nëse njeriu është human.
Pyetja është nëse njeriu do të jetë human.
Sepse historia ka provuar se ai di të jetë të dyja: ujk për tjetrin dhe dritë në errësirë. Dhe ndoshta, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi nëse dje ka qenë ujk. Rëndësi ka nëse nesër do të zgjedhë të jetë njeri.
