Nga Leonard Veizi
Më 28 shtator 1924, në Fontana Liri, një fshat i vogël i Italisë, lindi Marçelo Vinçenco Domeniko Mastrojani, njeriu që do të bëhej një nga fytyrat më të njohura të kinemasë italiane në botë. 147 filma në një karrierë që zgjati 57 vjet, nga viti 1939 deri më 1996; dy çmime në Kanë, dy çmime të Akademisë Britanike të Filmit dhe tri nominime për çmimin Oskar. Vetja artistike e regjisorit Federiko Fellini te Jeta e ëmbël dhe Tetë e gjysmë, partneri i përhershëm i Sofia Lorenit. Dashnori latin, melankolik, që nuk kishte nevojë të fliste shumë për të thënë gjithçka…
…Por për ne, shqiptarët, Mastrojani ka një portret tjetër. Është Gjenerali.
Në vitin 1983, kur ishte 59 vjeç, ai pranoi të luante një rol që pak yje të përmasave të tij do ta merrnin përsipër: Gjeneralin Ariosto, në filmin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, me regji të Luçiano Tovolit.
Filmi bazohet në romanin e vitit 1963 të Ismail Kadaresë. Historia që e njihnim përmendësh: njëzet vjet pas Luftës së Dytë Botërore, një gjeneral italian dhe një prift ushtarak nisen drejt zemrës së Shqipërisë për të kërkuar eshtrat e ushtarëve italianë të rënë gjatë luftës.
Është përshtatja italo-franceze e romanit, me Mastrojani në rolin e gjeneralit italian Ariosto dhe Mishel Pikoli në rolin e priftit Benetandi, si dhe me Anuk Eme dhe Zherar Klen në role të tjera. Një prodhim i xhiruar në italisht, por i njohur në qarkullimin ndërkombëtar edhe me titullin francez, “Le Général de l’armée morte”, për shkak të bashkëprodhimit franko-italian dhe lidhjeve të hershme të Kadaresë me kulturën franceze.
Mastrojani nuk e luan Gjeneralin si një fashist karikaturë. E paraqet si një burrë të lodhur, elegant, të humbur. Me pallton e rëndë dhe sytë gjithmonë pak të skuqur, ai nuk kërkon thjesht kocka; kërkon kuptimin e një disfate. Është Mastrojani në gjendjen e tij më të pastër: një njeri që ecën në baltën shqiptare ashtu siç ecte dikur në rrugët e Romës, te filmi Nata – i vetmuar, i bukur, i dënuar të mos gjejë asgjë.
Për një aktor që kishte luajtur gjithçka, të pranonte të bëhej gjenerali i një ushtrie që nuk ekzistonte më, në një vend që bota e njihte kryesisht përmes romaneve, ishte një akt kuraje artistike. Sepse “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nuk është film lufte. Është film për kotësinë e luftës. Dhe kush më mirë se Mastrojani – italiani i vitit 1924, që kishte jetuar në hijen e fashizmit dhe kishte njohur rrënojat e luftës – mund ta kuptonte këtë kotësi?
Sot, kur e shohim atë film, më shumë se katër dekada pas realizimit të tij, kuptojmë se Mastrojani nuk interpretoi vetëm një gjeneral italian në Shqipëri. Ai interpretoi një Itali që kërkonte të pajtohej me të kaluarën e vet. Dhe në atë kërkim, pa e pasur këtë si qëllim, u bë edhe pjesë e historisë sonë.
