Nga Leonard Veizi
Historia njeh melodi që mbahen mbyllur në sirtarë po aq sa dhe ëndrrat e zhgënjimet. Por Marsejeza u shkrua për të shembur mure. Ajo shpërtheu si krisma e parë e një revolucioni, duke u kthyer menjëherë në zërin e egër të rrugës. Kjo këngë kapërceu kufijtë e pentagramit. Ajo nuk kishte të bënte me estetikën muzikore, por me kujtesën e zhveshur të një populli në betejë. Ruzhe dë Lil nuk e thuri këtë marsh në sallone aristokratësh, por në ethet e një nate ankthi, kur Franca ishte e rrethuar dhe kufijtë digjeshin. Në atë pikë kthesa, ku alternativa e vetme ishte kushtrimi ose kapitullimi, lindi një dëshmi që nuk mund të heshtej: një këngë e shndërruar në armë…
…Në netët e Revolucionit, kur Parisi lundronte mes shpresës dhe gijotinës, dhe kur Republika ishte ende një projekt i brishtë, ky zë doli i prerë përmes zhurmës. Ishte kënga e atyre që nuk mbanin tituj noblese, por që vendosën të bëheshin zotër të fatit të tyre. “La Marsejëz” nuk ftonte në vallëzim, ajo urdhëronte marshim. Me grushtin shtrënguar dhe sy nga horizonti, ajo u kthye në betim: për lirinë dhe nderin e një shoqërie që refuzonte nënshtrimin. Në çdo rrokje të saj ndihet lëvizja e flamurit revolucionar dhe vendosmëria e atyre që ranë me emrin e Francës në gojë – një frymë lirie që nuk ndalet me dekrete, por transmetohet brez pas brezi.
Thuhet se Marsejeza u këndua në rrugët e Parisit në ditët e fundit të qershorit të vitit 1792, nga ushtarët dhe qytetarët, si një akt sfide ndaj frikës. Klod Zhozef Ruzhe dë Lil, një kapiten i ushtrisë revolucionare, nuk ishte poet oborresh. Bir i një kohe të trazuar, ai e kompozoi këtë himn në Strasburg për të mobilizuar trupat që do të përballeshin me koalicionet mbretërore në kufi. Fillimisht e titulloi “Chant de guerre pour l’Armée du Rhin” ose siç vjen në shqip: “Kënga e luftës për Ushtrinë e Rinit”, por destinacioni i saj ishte shumë më i madh se një marsh ushtarak krahinor.
Kur vullnetarët e ardhur nga Marseja hynë në Paris duke e kënduar këtë melodi, ajo përfshiu kryeqytetin si një zjarr elektrik. Parisienët e përqafuan menjëherë dhe kënga mori emrin që do t’i mbijetonte shekujve: La Marsejëz.
Tre vjet më vonë, më 14 korrik 1795, në përvjetorin e rënies së Bastijës, Konventa Kombëtare e shpalli atë himn kombëtar të Francës. Ishte epoka kur nocioni “komb” po fitohej me gjak dhe republika kërkonte një zë që të buçiste nëpër sheshe.
Megjithatë, si çdo simbol i lindur nga përmbysjet radikale, edhe himni pati një rrugëtim të trazuar. Napoleon Bonaparti, i cili erdhi në pushtet përmes valës revolucionare por e shpalli veten perandor, e ndaloi përdorimin e saj, duke e konsideruar si një rrezik për stabilitetin e fronit. Marsejeza u rikthye në bulevardet e Francës vetëm pas Revolucionit të Korrikut në vitin 1830.
Në vitin 1871, gjatë Komunës së Parisit, ajo i kapërceu kufijtë francezë duke u shndërruar në një himn ndërkombëtar të lëvizjeve punëtore dhe të shtypurve që kërkonin drejtësi e barazi. Tetë vjet më vonë, në vitin 1879, ajo u ritatua si himni zyrtar i Francës, status të cilin e mban edhe sot, duke u mbijetuar republikave, perandorive dhe pushtimeve.
Marsejeza përfaqëson vullnetin politik për liri dhe barazi. Me vargje të ashpra që bëjnë thirrje për rezistencë ndaj tiranisë dhe me refrenin që urdhëron “Aux armes, citoyens !” ose “Në armë, qytetarë!”, ajo mishëron programin e Revolucionit Francez mbi gërmadhat e monarkisë absolute. Ajo i bëri bashkë francezët përtej krahinave, dialekteve dhe klasave shoqërore, si zëri i një populli që deklaron sovranitetin e tij.
Përtej Francës, kjo melodi u bë modeli i pothuajse çdo lëvizjeje çlirimtare në botë. Sot, qoftë në ceremoni zyrtare shtetërore apo në barrikada protestash masive, “La Marsejëz” mbetet manifesti i gjallë i një shoqërie që refuzon të dorëzohet dhe zgjedh të marshojë.
