Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka lidhur protestën qytetare që po zhvillohet në vend me krizën demografike dhe ekonomike që, sipas saj, është produkt i modelit të qeverisjes së ndërtuar gjatë viteve të fundit.
Në një reagim publik, Tabaku u shpreh se protesta nuk është thjesht kundërshtim ndaj një projekti apo një vendimi të qeverisë, por shprehje e pakënaqësisë së grumbulluar ndaj një sistemi që punon për pakicën në kurriz të shumicës së shqiptarëve.
Sipas saj, treguesit ekonomikë dhe socialë dëshmojnë se Shqipëria po hyn në një cikël të rrezikshëm, ku të rinjtë largohen masivisht nga vendi, ndërsa gjithnjë e më shumë pensionistë detyrohen të rikthehen në tregun e punës për të siguruar jetesën.
Tabaku theksoi se mbi 17 mijë pensionistë iu shtuan forcës aktive të punës vetëm gjatë vitit të fundit, ndërsa më shumë se 55% e pensioneve të pleqërisë janë pensione të pjesshme. Në të njëjtën kohë, numri i pensionistëve po rritet më shpejt se ai i kontribuuesve, duke vënë nën presion të madh skemën e pensioneve.
Sipas deputetes demokrate, këto zhvillime nuk janë rastësi, por pasojë e një modeli ekonomik që ka dobësuar ekonominë prodhuese, ka nxitur emigracionin dhe ka krijuar një sistem ku mundësitë dhe përfitimet përqendrohen tek një pakicë.
“Shqipëria po humbet njerëzit që duhet të jenë motori i rritjes ekonomike dhe po mbështetet gjithnjë e më shumë tek të moshuarit për të mbajtur në këmbë aktivitetin ekonomik. Kjo është kostoja e një sistemi që ka lënë pas dore shumicën e shqiptarëve”, u shpreh Tabaku.
Duke iu referuar protestës qytetare, ajo argumentoi se revolta që po shfaqet në rrugë është në thelb kundër modelit të qeverisjes që ka prodhuar pabarazi, pasiguri dhe varfërim.
“Protesta e sotme është shumë më tepër sesa kundërshtimi i një projekti. Ajo është kundërshtim ndaj një sistemi që ka detyruar të rinjtë të largohen, pensionistët të punojnë për të mbijetuar dhe familjet shqiptare të jetojnë pa siguri për të ardhmen. Në thelb, është një protestë kundër një modeli që po varfëron shumicën për të pasuruar pakicën”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, zemërimi qytetar që po shfaqet sot është pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi që për vite me radhë ka shpërfillur problemet reale të shqiptarëve dhe ka krijuar një ekonomi që nuk prodhon mirëqenie për shumicën e qytetarëve./a.d
