Më 19 korrik 1992, vritet nga mafia siçiliane gjykatësi Paolo Borselino
Nga Leonard Veizi
Më 19 korrik 1992, në Via D’Amelio të Palermos, një makinë-bombë, – Fiat 126 – i mbushur me eksploziv shpërtheu, duke copëtuar jo vetëm një pasdite vere, por edhe një pjesë të ndërgjegjes së shtetit italian. Në shënjestër ishte 52 vjeçari Paolo Borselino. Bashkë me të u vranë pesë pjesëtarë të truprojës së tij: Agostino Katalano, Emanuela Loi, Vinçenco Li Muli, Valter Edi Kozina dhe Klaudio Traina. Mafia nuk kërkonte thjesht një viktimë tjetër. Ajo donte të varroste idenë se ligji mund të ishte më i fortë se frika…
…Borselino e dinte se ishte i dënuar. Vetëm 57 ditë më parë i kishin marrë mikun, bashkëluftëtarin dhe njeriun me të cilin ndau një nga betejat më të mëdha kundër mafies, Xhovani Falkonen, në atentatin e Kapacit. Ai e dinte se radha e tij kishte ardhur. Dhe megjithatë nuk bëri asnjë hap pas. Nuk kërkoi transferim, nuk heshti, nuk negocioi. Çdo mëngjes shkoi në Pallatin e Drejtësisë në Palermo dhe vazhdoi të firmoste atë që Koza Nostra e urrente më shumë se çdo gjë: urdhrat e arrestit.
Historia e tij është një nga akuzat më të forta ndaj çdo shteti që pretendon se lufton krimin, por në të vërtetë heziton përballë fuqisë së tij.
Sepse mafia nuk jeton vetëm nga armët. Plumbat janë mjeti i fundit. Mafia ushqehet nga marrëveshjet e heshtura me pushtetin: nga politikani që mbyll sytë kur paratë e pista financojnë interesat e tij; nga biznesmeni që blen qetësi; nga zyrtari që shet informacion; nga çdo hallkë e dobët e shtetit që lejon që drejtësia të vonohet.
Krimi i organizuar nuk mund të jetë thjesht një bandë, por një sistem. Dhe çdo sistem i tillë mbijeton për aq kohë sa gjen hapësira ku korrupsioni, frika dhe heshtja bëhen pjesë e përditshmërisë.
Borselino ishte i rrezikshëm pikërisht për këtë arsye: ai nuk ndiqte vetëm dorën që shtypte këmbëzën. Ai kërkonte fijet që lidhnin atë dorë me paratë, zyrat, interesat politike dhe rrjetet e padukshme të pushtetit. Dhe kur drejtësia ndjek paratë, mafia nuk përgjigjet më me justifikime. Përgjigjet me dhunë.
Shpërthimi në Via D’Amelio ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Republikës Italiane. Një mesazh mafioz: kush guxon të shkojë deri në fund, përfundon si Falkone. Si Borselino.
Por mafia bëri një gabim historik. Ajo vrau njeriun, jo shembullin. Vrau trupin, por jo idenë. Në atë krater ku u dogjën makinat dhe u shua një jetë e jashtëzakonshme, lindi simboli i një Italie që kërkoi të ringrihej dhe jo të jetonte në gjunjë. Emri i tij nuk mbeti në arkivat e kronikës së zezë. U bë një mësim qytetarie.
Sot, më shumë se tri dekada më vonë, mesazhi i tij mbetet i gjallë edhe për shoqëri të tjera që përballen me krimin dhe korrupsionin.
Lufta kundër krimit nuk fitohet me konferenca shtypi, me operacione për kamera dhe me deklarata që zgjasin vetëm një cikël lajmesh. Ajo fitohet kur drejtësia është vërtet e pavarur, jo vetëm në dokumente. Kur prokurori nuk pyet se kujt i përket dosja. Kur politika nuk e përdor luftën kundër mafies si parullë elektorale, ndërsa në heshtje toleron lidhjet me të. Kur shoqëria refuzon ta quajë “normalitet” bashkëjetesën me të keqen.
Mafia mund të vrasë gjyqtarë, gazetarë, policë dhe dëshmitarë. Ka armë për ta bërë këtë. Por ajo nuk mund të vrasë ndërgjegjen kur ajo zgjohet.
Paolo Borselino e pagoi çmimin më të lartë. Pikërisht për këtë ai nuk është vetëm një viktimë e mafies. Viktimat shpesh harrohen nga historia. Por ai mbetet fitimtar moral i një shekulli që prodhoi shumë dhunë, por edhe pak njerëz me kurajën për të thënë: jo.
