
Nga Leonard Veizi
-Uh, u dalldis fukaraja! – shfryu bashkëshortja e prefektit të Beratit, teksa, përtej ballkonit të sarajeve, në oborrin e shtëpisë së Gori Xhokaxhiut, një dasmë kishte marrë zjarr nga muzika dhe vallja.
-Në klarinetë Halit Berati…
Është Shqipëria e fundit të viteve ’30, pak para pushtimit italian të vendit. Në njërën anë, sallonet e pushtetit, me etiketën, përçmimin dhe distancën e tyre nga jeta e njerëzve të thjeshtë; në anën tjetër, oborri ku muzika nuk njeh hierarki dhe trupi i valltarit bëhet gjuhë më vete. Mes këtyre dy botëve, një burrë kërcen. Nuk po argëton thjesht dasmorët. Po lëviz brenda një tradite që e ka sjellë deri aty një histori shumë më të gjatë se vetë jeta e tij.
-Muzika, zonjë, – justifikon sinjor Alberto, i ftuari i Prefektit në saraje, por që ishte oficeri italian i SIM-it, i kamufluar në Shqipëri si përfaqësues i një firme që merrej me gramafonë dhe disqe. Përgjigjja është e shkurtër, por skena thotë më shumë nga sa duket. Ajo që për zonjën e prefektit është dalldisje e një fukarai, për të tjerët është një shpërthim jete. Një popull që këndon e kërcen, edhe kur mbi të rëndon hija e agresionit të ardhshëm.
Kështu e futi Viktor Gjika vallen çame të Osman Takës në filmin “Gjeneral Gramafoni”. Regjisori nuk e trajtoi si një numër folklorik të vendosur aty për të zbukuruar rrëfimin. Vallja u bë pjesë e atmosferës së kohës, e kontrastit mes pushtetit dhe popullit, mes atyre që e shohin jetën nga ballkonet dhe atyre që e jetojnë në oborre. Në atë sekuencë, kamera regjistroi edhe mjeshtërinë e Taip Madanit, interpretuesit që i dha kësaj valleje një jetë të veçantë në celuloid.
Madani nuk kërcente për të treguar se sa i zoti ishte. Ai e njihte masën e lëvizjes, përmbajtjen e gjestit, çastin kur trupi duhet të përkulet dhe atë kur duhet të ngrihet, sikur të sfidonte jo vetëm peshën e vet, por edhe tokën që e mbante. Eleganca e tij nuk ishte zbukurim i jashtëm. Ishte një mënyrë të foluri pa fjalë, një dialog mes krenarisë, vetëpërmbajtjes dhe shpërthimit.
Në një valle të tillë nuk mjafton të dish hapat. Duhet të kuptosh frymën e saj.
Vath Koreshi, në skenarin filmik, e vendos bisedën brenda përgatitjeve të Italisë Fashiste për pushtimin e Shqipërisë. Nga ballkoni ku ndiqnin kërcimin mahnitës, Alberto i shpjegon mikut të tij, Mikele Ventuçit, drejtues i AIPA-s në Shqipëri:
-Kjo valle nuk dihet saktësisht kur është krijuar. Ndoshta, ka pesë shekuj. Mos vallë rrojnë më tepër kështjellat?
Pyetja e zhvendos bisedën nga valltari te historia. Çfarë mbetet nga një popull kur kalojnë shekujt?
-Ju pëlqen të mbroni tezën tuaj, – i përgjigjet Mikele.
Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një tezë. Një valle mund të mos ketë një datë të saktë krijimi, mund të mos ketë një autor të vetëm dhe mund të ketë ndryshuar gjatë përcjelljes nga një brez te tjetri. Megjithatë, ajo mund të mbartë një histori që dokumentet nuk e kanë ruajtur.
–Në një këngë të tyre thuhet se kush është burrë nuk derdh lot por gjak turku. E parëndësishme është kjo?
Ndërsa dy italianët flasin mes tyre, Prefekt Krisithoni i ndjek me sy duke bërë llogari se nga cila anë duhet t’ia mbante, të vazhdonte të mbështeste Mbretin Zog në perëndim e sipër, apo të përqafonte idenë e Duçes për bashkimin e Shqipërisë në stemën e Savojës. Ndërkohë Taip Madani kërcen me forcën e elegancës, ndërsa dialogu i italianëve të pararojës merr një tjetër kuptim.
-Do të ishte e papërmbajtshme furia e njerëzve të mbledhur kështu, – thotë Alberto i disqeve duke iu referuar dasmorëve të ngazëllyer që ndiqnin interpretimin e valles.
E gjithë skena jep mesazhe të forta, pikërisht nën muzikalitetin e orkestrës popullore, të një valleje të çmuar për shqiptarët.
Sigurisht, një valle nuk është program politik dhe as çdo dasmë është akt qëndrese. Por arti popullor ka një mënyrë të vetën për të mbijetuar përtej regjimeve, kufijve dhe ideologjive. Ai përcillet jo sepse dikush urdhëron të ruhet, por sepse njerëzit vazhdojnë ta ndiejnë si pjesë të vetes.
Kjo është edhe arsyeja pse Taip Madani meriton të kujtohet përtej rolit të tij në film. Ai ishte një nga interpretuesit virtuozë që e mbajtën gjallë vallen e Osman Takës dhe e përcollën te brezat e tjerë. Nëpërmjet tij, vallja nuk mbeti vetëm një kujtim i një mjedisi të caktuar krahinor. Ajo u bë e dukshme për një publik shumë më të gjerë, duke kaluar nga tradita e gjallë te dokumentimi filmik dhe kujtesa kulturore.
Madani vdiq në shkurt të vitit 2014, në një aksident automobilistik. Por imazhi i tij duke kërcyer vazhdon të mbetet. Celuloidi e ruajti lëvizjen, ndërsa kujtesa ruajti mjeshtërinë. Në këtë kuptim, filmi i Viktor Gjikës bëri më shumë sesa regjistroi një interpretim: i dha një dëshmi të qëndrueshme një arti që jeton kryesisht përmes trupit dhe përcjelljes gojore.
Kur Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, vëmendja nuk duhet të ndalet vetëm te emri i valles. Pas saj qëndrojnë njerëzit që e mësuan, e ruajtën dhe e përcollën. Qëndrojnë mjeshtrit që nuk shkruan traktate mbi folklorin, por e lanë gjurmën e tyre në çdo lëvizje. Njëri prej tyre ishte Taip Madani.
Ka një padrejtësi të heshtur në mënyrën si kujtojmë trashëgiminë: shpesh nderojmë simbolin, por harrojmë bartësin. Flasim për vallen, por jo për këmbët që e çuan përpara; për këngën, por jo për zërin që e shpëtoi nga harresa; për traditën, por jo për njerëzit që e mbajtën gjallë kur ajo nuk kishte as skenë, as drita, as duartrokitje.
Osman Taka i përket historisë së kësaj valleje, por Taip Madani i përket historisë së mënyrës si ajo u ruajt dhe u bë e njohur. Prandaj, përfshirja e saj në trashëgiminë kulturore duhet të shërbejë edhe si një rast për të rikthyer në kujtesë emrat e interpretuesve që i dhanë asaj jetë dhe formë.
Vallja e Osman Takës është një prej këtyre pasurive. Taip Madani ishte një nga ata që e mbajtën gjallë. Dhe kjo është arsye e mjaftueshme që emri i tij të mos kërcejë kurrë jashtë kujtesës sonë.
