Nga Leonard Veizi
Data e 10 korrikut 1943 u kthye për dekada në datëlindjen zyrtare të ushtrisë sonë. E merituar për kohën e luftës, por e padrejtë me historinë. Sepse Shqipëria e pati ushtrinë e vet që më 4 dhjetor 1912, vetëm pak ditë pas ngritjes së flamurit në Vlorë. Një ushtri e varfër, e paarmatosur mirë dhe e brishtë përballë sfidave të kohës, por një ushtri shqiptare. Kjo harresë nuk është thjesht një detaj historik. Ajo tregon se sa shpejt politika mund t’i veshë dhe t’i zhveshë institucionet me uniformën e ideologjisë.
E vërteta është më e thjeshtë: ushtria nuk ka ngjyrë politike. Ndryshuan mbretërit, sekretarët e parë, presidentët dhe kryeministrat. Ndryshuan doktrinat, aleancat, armatimet dhe konceptet mbi armikun. Por nuk ndryshoi misioni themelor: mbrojtja e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit.
Historia e ushtrisë shqiptare mund të lexohet në tri akte.
Akti i parë: Shtetformimi, 1912-1939.
Një ushtri që lind bashkë me shtetin shqiptar. E vogël, me burime të kufizuara dhe me shumë mangësi teknike, por me një detyrë të madhe: mbrojtjen e një pavarësie të sapofituar në një rajon ku kufijtë ende ishin të pasigurt dhe konfliktet e armatosura ishin pjesë e realitetit ballkanik.
Akti i dytë: Ushtria Popullore, 1945-1990.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ushtria shqiptare u transformua rrënjësisht. Nga një forcë partizane ajo u kthye në një ushtri të rregullt shtetërore, të organizuar sipas modelit lindor dhe për disa vite edhe pjesë e Traktatit të Varshavës.
Kulmin e fuqisë së saj numerike dhe ushtarake ajo e arriti në vitet ’80 të shekullit XX. Në rast mobilizimi të përgjithshëm, Shqipëria synonte të vinte nën armë rreth 800 mijë burra e gra. Ishte një strukturë gjigante, e ndërtuar mbi konceptin e mbrojtjes së gjithanshme popullore.
Në dispozicion të saj kishte rreth 1050 tanke, rreth 200 transportues të blinduar të këmbësorisë, mbi 240 avionë dhe helikopterë, si dhe një arsenal të gjerë artilerie tokësore, raketash tokë-ajër dhe sistemeve të mbrojtjes kundërajrore. Për një vend me përmasat e Shqipërisë, ishte një përqendrim ushtarak jashtëzakonisht i madh.
Doktrina ishte e qartë: mbrojtja e territorit me çdo kusht dhe përballimi i një agresioni të mundshëm edhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga aleatët. Ishte ushtria e mobilizimit masiv, e bunkerëve dhe e përgatitjes së një lufte totale. E madhe në numra dhe në volum armatimesh, por e izoluar strategjikisht në fundin e periudhës së saj.
Akti i tretë: NATO, 1990-sot.
Ndryshimi më i madh në historinë e saj. Nga ideja e “gjithë popullit ushtar” te një forcë më e vogël profesioniste. Nga magazinat e mbushura me armatime të Luftës së Ftohtë te angazhimet në misionet ndërkombëtare të NATO-s. Nga koncepti i rrethimit total te siguria kolektive e nenit 5.
Këtu lind paradoksi shqiptar. Sot jemi pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, me 32 vende anëtare. Ushtarët shqiptarë janë më të trajnuar, më të integruar dhe më të testuar në operacione ndërkombëtare se në çdo periudhë tjetër. Megjithatë, në bisedat e përditshme dëgjon shpesh: “Ku është ajo ushtri që kishim?”
Kjo nostalgji shpesh ngatërron madhësinë me fuqinë. Numri i tankeve, avionëve apo rezervistëve nuk është i njëjtë me sigurinë strategjike. Një ushtri masive nuk është domosdoshmërisht më e fuqishme se një forcë moderne e integruar në një aleancë të madhe.
Anëtarësimi në NATO nuk e zvogëloi rëndësinë e ushtrisë shqiptare. Ai ndryshoi natyrën e saj. Shqipëria nuk ka më nevojë të sillet si një fuqi e izoluar ushtarake, por të ndërtojë një forcë moderne: të aftë, të specializuar dhe të besueshme për aleatët.
Sfida e së ardhmes nuk është rikthimi te fantazma e qindra mijëra rezervistëve, por investimi në cilësi: mbrojtjen kibernetike, forcat speciale, inteligjencën ushtarake, teknologjinë dhe kapacitetet që i duhen realisht Shqipërisë dhe NATO-s.
Ushtria nuk është muze i së shkuarës. As vegël e politikës së ditës. Ajo është garancia e fundit kur diplomacia dështon. Dhe një garanci e tillë nuk matet vetëm me numrin e armëve, por me aftësinë për t’i përdorur ato dhe me besueshmërinë që një vend ka te aleatët e tij.
Politika do të ndryshojë. Qeveritë do të ndryshojnë. Uniforma do të mbetet. Dhe bashkë me të edhe misioni i saj.
