Nga Sejdin Cekani
Është thënë prej kohësh se kanë qenë pleqtë e dështuar të politikës ata që i kanë shkaktuar luftërat. E në mos luftërat e vërteta – ngaqë e kanë humbur kontrollin ndaj vetes dhe nuk i mbajnë më këllqet – gjithë kohën kanë bërë çmos për të tërhequr vëmendjen me luftëra verbale: duke u hakërryer e duke ulëritur shesheve apo ekraneve. Kur e shohin se, më në fund, iu ka perënduar “ylli” e të gjithë i kanë braktisur duke i lënë në mjerim e vetmi, në fillim ankohen e përpallin pakënaqësi, pastaj bëhen gërnjarë: shajnë, mallkojnë e shpifin për gjithfarë gjërash që ua thotë mendja djallëzore e përtharë.
Çdo ditë shestojnë për hakmarrje, sepse e quajnë atë si kafshatën më të shijshme që gatuan ferri i shpirtit të tyre. Dhe pikërisht për këtë arsye – për t’u hakmarrë – ende lakmojnë për të pasur pushtet e kurrsesi nuk ua lënë vendin më të rinjve, ndonëse dita-ditës kthehen në karikatura qesharake e inatçore.
Pushteti për ta është arma për të shpëtuar egon. Ata asnjëherë nuk e pranojnë disfatën, rënien. Ndonëse i humbin disa herë me radhë betejat politike, fajin nuk e kërkojnë te vetja, por shpikin armiq. Retorika e tyre ka si refren vetëm këto fjalë: “Bashkëpunëtorët e ngushtë na tradhtuan. Të tjerë na sabotuan”. Kjo është liturgjia e përditshme e këtyre njerëzve që e kanë kthyer politikën në teatër paranoje.
Ata anatemojnë me zell fanatik, shpifin me pasion, kërcënojnë me buzëqeshje të shtirur e ngërdheshje. Nuk kanë më ide, por vetëm inate e pandehma.
Në vend që të bëhen simbole të urtësisë, kthehen në gërnjarë të padurueshëm. Në vend që të bëhen “gjyshër të kombit”, sillen si (kinse) kordhëtarë të një lufte që ekziston vetëm në kokën e tyre.
Por koha nuk fal askënd. Kur politika kthehet në përpjekje për të zgjatur agoninë e lavdisë së shkuar, kur ngatërrohet pushteti me identitetin e personit që e kërkon atë me çdo kusht, atëherë individë të tillë kanë humbur gjithçka dhe kthehen në relikte pa vlerë.
