Last Updated on 13/04/2026 by Leonard
Nga Sejdin Cekani
Një deputete e re në moshë, përfaqësuese e krahut të majtë, deklaroi publikisht se refuzon të flasë në Kuvendin e Shqipërisë në gjuhën standarde shqipe, duke zgjedhur të përdorë gegërishten. Ky qëndrim ngre një debat të rëndësishëm jo vetëm për raportin mes standardit dhe dialekteve, por edhe për përgjegjësinë gjuhësore të përfaqësuesve publikë.
Në pamje të parë, ky veprim mund të interpretohet si një akt antikonformizmi apo si një sfidë politike ndaj normës standarde të shqipes. Megjithatë, një analizë më e thelluar sugjeron se kjo zgjedhje nuk buron thjesht nga bindjet ideologjike, por më tepër nga pamundësia për të zotëruar dhe përdorur siç duhet gjuhën letrare standarde.
Në këtë kuptim, kemi të bëjmë jo aq me një refuzim të vetëdijshëm, sesa me mungesë të ndjenjës gjuhësore. Ndjenja gjuhësore është një element thelbësor për çdo ligjërues publik, por veçanërisht për deputetët, pasi ata janë përfaqësues të drejtpërdrejtë të popullit në institucionin më të lartë vendimmarrës të vendit. Ajo nënkupton jo vetëm njohjen e rregullave gramatikore dhe sintaksore, por edhe aftësinë për të zgjedhur regjistrin e duhur gjuhësor në varësi të kontekstit institucional dhe komunikativ.
Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës, kërkon një standard të lartë formaliteti, përfshirë edhe përdorimin e gjuhës. Gjuha standarde nuk është thjesht një zgjedhje stilistike, por një mjet i domosdoshëm për të garantuar qartësi, kuptueshmëri dhe barazi komunikimi për të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes së tyre krahinore.
Është e rëndësishme të theksohet se deputetja në fjalë nuk përdor gegërishten si një dialekt të strukturuar në kuptimin e gjerë gjuhësor, por më tepër një nëndialekt të zonës së saj të origjinës. Kjo e bën komunikimin edhe më të kufizuar dhe potencialisht më pak të kuptueshëm për publikun e gjerë.
Sigurisht, përdorimi i dialekteve në situata të caktuara është i pranueshëm dhe madje i dobishëm. Një deputet mund t’i referohet dialektit të votuesve të tij për të sjellë më afër një ngjarje, për të cituar një personazh apo për të përcjellë një mesazh me ngarkesë emocionale dhe autentike. Por këto janë përjashtime të arsyetuara dhe të kufizuara në kontekst, jo një praktikë e vazhdueshme në diskursin institucional.
Nëse do të hiqej dorë nga standardi në Kuvend, atëherë do të kishte një fragmentim të komunikimit. Çdo deputet do të fliste sipas nëndialektit të zonës së vet, duke krijuar një kakofoni të të folmeve, shpesh pa një strukturë të unifikuar gramatikore e sintaksore. Një situatë e tillë do të dëmtonte rëndë funksionin kryesor të Kuvendit si hapësirë e debatit të qartë dhe të kuptueshëm publik.
Përtej përmbajtjes së fjalës, rëndësi të veçantë ka edhe forma e saj. Elokuenca, timbri dhe serioziteti janë elemente të rëndësishme të komunikimit publik, por ato nuk mjaftojnë nëse mungon qartësia dhe korrektësia gjuhësore. Ligjëruesit publikë duhet të jenë model në respektimin e normës letrare, duke dhënë shembullin e parë për qytetarët.
Në përfundim, çështja nuk qëndron thjesht tek zgjedhja midis dialektit dhe standardit, por tek përgjegjësia për ta përdorur gjuhën si një mjet bashkues dhe funksional në jetën publike. Respektimi i gjuhës standarde në institucione si Kuvendi nuk është kufizim, por domosdoshmëri për një komunikim të drejtë, të qartë dhe gjithëpërfshirës.
