Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa duket se po përgatitet për një tjetër vit të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore. Artistja pritet të jetë një nga emrat kryesorë të festivalit britanik “Reading & Leeds” në vitin 2027, ndërsa është në negociata të avancuara për të kryesuar edhe festivalin e njohur amerikan “Coachella”.
Sipas raportimeve të mediave britanike marrëveshja për pjesëmarrjen e Duas në “Coachella” është pothuajse e përfunduar, ndërsa bisedimet për festivalin britanik vijojnë. Burime pranë organizatorëve bëjnë me dije se viti i ardhshëm mund të jetë veçanërisht i ngarkuar për këngëtaren, me disa projekte të rëndësishme në skenën ndërkombëtare.
Dua Lipa ka performuar për herë të fundit në “Reading & Leeds” në vitin 2018, kur ishte pjesë e programit kryesor, por jo si një nga artistet kryesuese. Një rikthim i saj në këtë festival do të shënonte një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e artistes shqiptare.
Ndërkohë, pjesëmarrja e mundshme në “Coachella” do të ishte një tjetër arritje e madhe, pasi në vitin 2023 ajo zgjodhi të performonte në festivalin “Glastonbury”, duke mos marrë pjesë në eventin kalifornian.
Planet e saj për vitin 2027 mund të përfshijnë edhe një turne të ri në stadiume. Sipas raportimeve, në mesin e alternativave për koncertet e ardhshme përmenden edhe stadiumi “Wembley” dhe ai i “Tottenham Hotspur” në Londër./et
