Reperja e njohur Megan Thee Stallion ka përfunduar në spital pasi u ndje keq gjatë një shfaqjeje në “Moulin Rouge! The Musical”, ku po performonte në Broadway.
Sipas një reagimi zyrtar nga përfaqësuesi i artistes së hitit “WAP”, gjendja e saj u përkeqësua gjatë performancës së së martës në mbrëmje, duke bërë të nevojshëm transportimin e menjëhershëm në një spital lokal, ku po i nënshtrohet kontrolleve mjekësore.
“Gjatë shfaqjes, Megan pati një shqetësim të papritur shëndetësor dhe u dërgua menjëherë në spital. Aktualisht, mjekët po vlerësojnë gjendjen e saj dhe do të ketë përditësime sapo të kemi më shumë informacion,” thuhet në deklaratë.
Ngjarja shkaktoi shqetësim edhe te publiku i pranishëm. Gazetarja Loren Lorosa, e cila ndodhej në teatër, tregoi se shfaqja u ndërpre papritur në mes, ndërsa stafit iu desh të ndërhynte për të menaxhuar situatën./mxh
