Në vitet e fundit, mënyra se si shqiptarët krijojnë lidhje të reja po ndryshon me shpejtësi. Aplikacionet e njohjeve si Tinder dhe Dua po bëhen pjesë e përditshmërisë, veçanërisht për të rinjtë që kërkojnë një mënyrë më të shpejtë dhe më të lirshme për të komunikuar.
Në një realitet ku emigracioni, ritmi i punës dhe ndryshimet sociale po e zvogëlojnë kontaktin tradicional, njohjet online janë kthyer në një alternativë të natyrshme dhe efikase.
Të dhënat e përdorimit tregojnë se vetëm Tinder ka rreth 97 mijë përdorues shqiptarë, një shifër që rritet nga viti në vit. Kjo përputhet me faktin se mbi 85% e popullsisë në Shqipëri ka akses të përditshëm në internet, duke krijuar një terren ideal për rritjen e këtyre platformave. Gjithnjë e më shumë të rinj preferojnë të ndërmarrin hapat e parë të një njohjeje në mënyrë virtuale, përpara se të takohen fizikisht.
Struktura demografike e këtyre përdoruesve është gjithashtu treguese e një transformimi shoqëror. Më shumë se 40% e përdoruesve të aplikacioneve të takimeve janë të moshës 25–34 vjeç, ndërsa rreth 35% janë 18–24 vjeç, duke e bërë këtë grupmoshë më aktive në eksplorimin e lidhjeve online.
Nga ana tjetër, përdoruesit mbi 35 vjeç mbeten një përqindje shumë më e vogël, çka tregon se fenomeni është më i përqendruar te brezat e rinj.
Megjithatë, pabarazia gjinore mbetet e dukshme: rreth 84% e përdoruesve të këtyre platformave rezultojnë të jenë meshkuj, ndërsa vetëm 16% femra. Ky raport i theksuar tregon ende për një hezitim nga ana e vajzave për t’u përfshirë në aplikacione të tilla, shpesh për arsye kulturore, perceptime të sigurisë apo shqetësime të privatësisë.
Në këtë panoramë, një rol të rëndësishëm po luajnë edhe aplikacione shqiptare si Dua.com, i cili ka tejkaluar mbi gjysmë milioni shkarkime në publikun shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Rritja e kërkesës për njohje online tregon jo vetëm ndryshimin e mënyrës së komunikimit, por edhe një shoqëri që po evoluon drejt më shumë hapjes, pavarësisë dhe formave më moderne të lidhjeve ndërpersonale.
