Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, bëri një veprim të pazakontë kur u hodh në një pishinë publike në East Harlem i veshur plotësisht me kostum zyrtar, shkruan foxnews.com.
Por spektakli u la shpejt në hije nga një përplasje e ashpër me një prej figurave kryesore të republikanëve në shtetin e Nju Jorkut.
Pamjet video tregojnë Mamdanin duke u hedhur në pishinën Thomas Jefferson Pool dhe duke notuar së bashku me fëmijët, në kuadër të festimeve për 90-vjetorin e pishinave publike të ndërtuara gjatë programit historik Works Progress Administration (WPA).
Aktiviteti synonte të promovonte zgjerimin e programeve falas të notit dhe të nënvizonte trashëgiminë historike të këtyre pishinave me përmasa olimpike.
Megjithatë, atmosfera festive mori shpejt një kthesë politike, kur Mamdani iu drejtua kandidatit republikan për guvernator të shtetit të Nju Jorkut dhe drejtuesit të Qarkut Nassau, Bruce Blakeman, duke i kërkuar publikisht të kërkojë falje për komentet e fundit ndaj kandidatit demokrat për Kongres, Brad Lander.
Pas fitores së Lander në zgjedhjet paraprake demokratike për distriktin e 10-të të Nju Jorkut, ndaj kundërshtarit Dan Goldman, Blakeman deklaroi gjatë një interviste për Newsmax se Lander “do të ishte roje në një kamp përqendrimi, nëse do të kishte mundësi”.
Mamdani doli në mbrojtje të Lander, duke e cilësuar atë si “një hebre krenar nga Nju Jorku”, ndërsa komentet e Blakeman i përshkroi si “të papranueshme dhe të pafalshme”. /mxh
