Last Updated on 09/06/2026 by Anisa
Në një reflektim të fundit mbi identitetin kombëtar dhe gjeopolitikën rajonale, avokati dhe analisti Spartak Ngjela ka sjellë në vëmendje figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke e cilësuar atë si garancinë kryesore të pathyeshmërisë së shqiptarëve. Duke marrë shkas nga qëndrimet e disa sociologëve dhe filozofëve të Beogradit, të cilët sipas tij pranojnë me mllef e shqetësim se shqiptarët nuk mund të mposhten për sa kohë nuk e harrojnë kryeheroin e tyre, Ngjela deklaron se miti dhe fryma e Skënderbeut mbeten ende gjallë në Kalanë magjike të Krujës.
Ky realitet historik, të cilin ai e quan një “Vërtetë Olimpike”, sipas Ngjelës duhet të shërbejë si udhërrëfyes i detyrueshëm për kryeministrin Edi Rama dhe për çdo pasardhës tjetër në krye të qeverisë në Tiranë. Ai insiston se çdo udhëheqës duhet ta respektojë këtë trashëgimi si pjesë të natyrës së tij arbërore, e cila rrjedh në mënyrë të pandërprerë përmes një zinxhiri të fuqishëm historik: nga Teuta e Madhe te Skënderbeu, duke kaluar te vëllezërit Naim, Abdyl e Sami Frashëri, e më pas te Ismail Qemali e deri te Pavarësia e Kosovës.
“Janë disa sociologë e filozofë të Beogradit që kanë thënë me mllef e shqetësim se:
Shqiptarët, po nuk e harruan Gjergj Kastriot Skënderbeun, askush nuk mund t’i mposhtë dot.
Kot po prisni, o mjeranë të mundur nga shqiptarët, se Gjergj Kastriot Skënderbeu është ende i gjallë dhe jeton me Ushtrinë e tij në Kalanë magjike të Krujës.
Edhe Rama e çdo kryeministër që vjen në Tiranë duhet ta dijë këtë të Vërtetë Olimpike, dhe ta respektojë këtë si natyrën e tij arbërore, që vjen: nga Teuta e Madhe tek Gjergj Kastriot Skënderbeu; nga Gjergj Kastriot Skëndebeu tek vëllezërit Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri; nga vëllezërit Frashëri – tek Ismail Qemal Vlora, dhe, nga Ismail Qemal Vlora, tek pavarësia e Kosovës.”
Në mbyllje të qëndrimit të tij, Ngjela e projekton këtë trashëgimi si shtyllën e “Arbërisë së Re”, një proces historik që sipas tij po vijon të shtrihet për të përfshirë brenda vetes të gjithë arbërorët e tjerë në Epirin e Veriut dhe në Çamërinë e Madhe.
“Kjo është historia e Arbërisë së Re, e cila po vijon për të përfshirë brenda vetes të gjithë arbërorët e tjerë në Epirin e Veriut dhe në Çamërinë e Madhe”, përfundon Ngjela reagimin e tij./a.d