Last Updated on 10/08/2026 by EL
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka reaguar lidhur me rastin e konstatuar ditën e djeshme, ku në një segment të vijës bregdetare pranë Hidrovorit Hamallaj në Durrës është konstatuar ngjyrë e errët e ujit, duke ngritur shqetësim te banorët dhe pushuesit.
Përmes një njoftimi, Ujësjellës Kanalizimet kanë njoftuar se në Gjirin e Lalzit nuk shkarkohen ujëra të ndotura në det, pasi sipas Agjencisë, ato trajtohen në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura, i sili është në funksion 24 orë në 24.
Po ashtu në njoftim theksohet se ngjyra e errët në dalje të kanalit të hidrovorit, lidhet me baticën dhe zbaticën, të cilat krijuan një përzierje me ujin e kanalit, i cili përmban baltë, llum dhe sedimente të tjera.
Në përfundim, Ujësjellës-Kanalizimet bëjnë të ditur se sot janë marrë mostra uji në të gjithë zonën dhe në vijim, do të publikoohen parametrat teknikë të ujit në dalje të kanalit të hidrovorit.
Njoftimi i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve:
Në lidhje me problematikën e shkarkimit të Hidrovorit në Hamallaj, Gjiri i Lalzit, ju informojmë si vijon:
Në Gjirin e Lalzit nuk shkarkohen ujëra të ndotura në det, por ato trajtohen në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura, i cili është në funksion 24 orë në 24. Pas trajtimit, shkarkimi kryhet sipas parametrave të përcaktuar në Përroin e Tarinit.
Uji i detit, i cili shkaktoi ngjyrën e errët në dalje të kanalit të hidrovorit, lidhet me baticën dhe zbaticën, të cilat krijuan një përzierje me ujin e kanalit, i cili përmban baltë, llum dhe sedimente të tjera. Shkarkime të tjera të ujërave të zeza nuk ka dhe nuk ka pasur.
Sot janë marrë mostra uji në të gjithë zonën dhe, në vijim, do të publikojmë parametrat teknikë të ujit në dalje të kanalit të hidrovorit.
