Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha të martën se përdorimi i forcës ushtarake ndaj territorit arktik është i mundur, por i paarsyeshëm, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së dialogut në kanalet e duhura dhe të përgatitjes për çdo skenar.
Gjatë një konference për media, Nielsen foli për ndikimin e deklaratave dhe spekulimeve në rrjetet sociale, të cilat sipas tij nuk janë të respektueshme, dhe shtoi se nga ana e Groenlandës është krijuar një grup pune për të menaxhuar çështjet përmes kanaleve institucionale.
“Ne kemi një pasqyrë dhe kemi parë çfarë thonë të tjerët në rrjetet sociale. Nuk është respektueshme, por ne po përpiqemi të ruajmë dialogun në kanalet e duhura dhe për këtë arsye është krijuar ky grup pune.”
Nielsen gjithashtu njoftoi për synimin e Groenlandës për të forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Europian, pa kërkuar anëtarësim të plotë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në lidhjet diplomatike dhe ekonomike.
“Po punojmë për të pasur bashkëpunim të shtuar me BE-në. Nuk po themi se duam të bëhemi pjesë e BE-së, por dëshirojmë të kemi bashkëpunim me të.”
Deklaratat e Nielsen vijnë pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më 20 janar tha se nuk ka kthim pas për synimin e tij për të kontrolluar Groenlandën, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës. Ambicia e Trump për të marrë sovranitetin mbi ishullin Arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe anëtare e NATO-s, ka rrezikuar unitetin e aleancës që ka siguruar sigurinë perëndimore për dekada.
Kryeministri Nielsen theksoi se, pavarësisht probabilitetit të ulët të një konflikti ushtarak, është e nevojshme që Groenlanda të jetë e përgatitur dhe të vazhdojë dialogun me partnerët ndërkombëtarë./mxh
