Në Kukës kanë nisur punimet për ndërtimin e Institucionit të ri të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, një projekt me vlerë 6.4 milionë euro që synon modernizimin e sistemit penitenciar në vend.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e cilësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm në vijimin e reformës në drejtësi dhe përmirësimin e kushteve në sistemin e vuajtjes së dënimit.
Sipas ministrit Gogu, institucioni i ri do të ndërtohet në territorin e ish-batalioneve ushtarake dhe do të ketë një kapacitet prej 150 personash të privuar nga liria. Ai bëri të ditur se objekti do të shërbejë edhe për akomodimin e rreth 40 shtetasve të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri, duke i afruar ata më pranë familjeve të tyre.
Projekti parashikon gjithashtu krijimin e rreth 140 vendeve të reja të punës për komunitetin lokal, duke sjellë ndikim ekonomik dhe zhvillim për zonën.
Duke folur për reformën në drejtësi, ministri Gogu theksoi se ajo nuk lidhet vetëm me vendimet e gjykatave, por edhe me mënyrën se si shteti menaxhon procesin e ekzekutimit të dënimeve.
“Reforma në drejtësi nuk përfundon te gjykata. Ajo vazhdon edhe në mënyrën se si shteti administron vuajtjen e dënimit,” u shpreh Gogu.
Ai shtoi se sistemi penitenciar duhet të garantojë njëkohësisht sigurinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke e cilësuar këtë si një prej objektivave kryesore të reformës./ad
