Last Updated on 21/08/2026 by Anisa
Ka nisur pelegrinazhi i përvitshëm në Malin e Tomorrit, me mijëra besimtarë dhe vizitorë që po i drejtohen Teqesë së Kulmakut për Festën e Kulmakut. Pelegrinazhi zhvillohet gjatë datave 18–25 gusht, ndërsa ditët e festës pritet të shoqërohen me një fluks të lartë pelegrinësh.
Qindra automjete kanë nisur të ngjiten drejt Kulmakut, duke sjellë ngarkesë të shtuar në rrugët që të çojnë drejt Malit të Tomorrit. Fluksi i madh i mjeteve dhe i këmbësorëve ka bërë që qarkullimi në disa segmente të jetë më i vështirë.
Për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur aksidentet, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka shtuar shërbimet në akset rrugore që të çojnë drejt malit, si dhe në zonën përreth Teqesë së Kulmakut. Masat përfshijnë kontrolle të shtuara rrugore dhe menaxhim të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve.
Policia e Beratit po bashkëpunon edhe me strukturat e tjera të sigurisë dhe institucionet vendore për mbarëvajtjen e pelegrinazhit, ndërsa shërbimet do të vijojnë përgjatë gjithë periudhës së festës.
Festa e Kulmakut është një prej pelegrinazheve më të rëndësishme bektashiane në Shqipëri dhe çdo vit tërheq besimtarë nga vendi, diaspora dhe vende të ndryshme të botës./ad
