Last Updated on 04/04/2026 by EL
Me dhjetëra fëmijë të shoqëruar nga prindërit dhe gjyshërit e tyre kanë mbjellë pemë në kodrat e qytetit të Korçës, një nismë kjo disa vjeçare që synon të kthehet në traditë.
Një nga banoret e Korçës tregon se ajo vetë, kur ishte fëmijë, mbillte pemë në këtë zonë dhe sot kërkon që mbesa e saj të trashëgojë këtë veprim qytetar.
“se u shpyllëzua, e kemi pyllëzuar vetë kur ishim të vegjël, e kishim program. Çdo shkollë kishte kuotën e saj, duhet ta bënte. Vinim çdo javë e mbillnim. Në fillore, 8-vjeçare, e mesme, e njëjta gjë. Të kenë kujdes për bimësinë, për ambientin. I kujtoj mirë se këtu nuk ka qenë asgjë e papyllëzuar, tërë malin e Moravës e kemi mbjellë vetë me duart tona”, thotë ajo.
“Unë kam ardhur këtu të mbjell pemë e lule, sepse dua që njerëzit të kenë ambient të pastër dhe unë kur të rritem ta ujis e të jetë ambient i pastër”, thotë mbesa e saj.
Ardit Konomi, një nga organizatorët e kësaj nisme, tregon se po kthehet në traditë që qytetarët korçarë të mbjellin pemë dhe të rikthejnë edhe njëherë tjetër kurorën e gjelbër të qytetit.
“Jo vetëm fëmijë e gjyshër, por edhe shumë qytetarë. Në 11 e kishim lajmëruar si orë, shikoni sa njerëz ka, gjatë ditës ka ende më tepër. Traditë e bukur, edukimi që na duhet. Gjithçka e mirë. Ajo po e po, por duhet të jetë gjëja më e pakët që do arrijmë”, thotë organizatori Ardit Konomi.
Gjatë këtij viti, nisma synon mbjelljen e rreth 1500 pemëve, çka pritet të përmirësojë ndjeshëm kurorat e gjelbra në kodrat e Moravës./et
