Një studim i ri nga Toronto Metropolitan University sugjeron se një seancë e shkurtër muzikore prej rreth 24 minutash mund të ndihmojë në uljen e ndjeshme të simptomave të ankthit.
Prova klinike përfshiu 144 të rritur me ankth të moderuar, të cilët po merrnin trajtim me ilaçe. Studiuesit testuan efektin e muzikës së projektuar me stimulim të rrahjeve dëgjimore (ABS), një teknikë që synon të ndikojë në aktivitetin e trurit.
Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe: një grup dëgjoi zhurmë rozë (si tinguj shiu apo valësh), ndërsa tre grupet e tjera dëgjuan muzikë me ABS për 12, 24 dhe 36 minuta. Para dhe pas seancave, ata plotësuan teste për të matur nivelet e ankthit dhe humorit.
Rezultatet treguan se të gjitha seancat me muzikë ABS ndihmuan në uljen e simptomave njohëse dhe fizike të ankthit, si mendimet e pakontrollueshme, vështirësitë në përqendrim apo shqetësimet fizike si të përzierat dhe dhimbjet në gjoks. Megjithatë, efekti më i fortë u vërejt tek seanca 24-minutëshe.
Sipas bashkautor it Frank Russo, kjo kohëzgjatje përfaqëson një “pikë ideale”: mjaftueshëm e gjatë për të ndikuar ndjeshëm në ankth, por jo aq e gjatë sa të bëhet e vështirë për t’u përfshirë në rutinën e përditshme.
Studiuesit theksojnë se ndërsa trajtimet tradicionale si terapia dhe medikamentet mbeten të rëndësishme, mjetet e bazuara në muzikë mund të ofrojnë një alternativë të thjeshtë, të përballueshme dhe pa efekte anësore për menaxhimin e ankthit./kb
