Last Updated on 18/03/2026 by Anisa
Rikandidimi i Sali Berisha e bën të pamundur një garë reale brenda Partia Demokratike e Shqipërisë. Kështu u shpreh analisti Preç Zogaj, i cili theksoi se procesi demokratik në parti nuk mund të funksionojë në kushtet aktuale.
“Me rikandidimin e Sali Berishës nuk ka garë, ngjarja demokratike në PD fillon kur Sali Berisha të hiqet mënjanë,” u shpreh ai në studion e emisionit “Trialog” nga Alba Alishani në RTSH 1.
Zogaj solli në vëmendje edhe precedentë të mëparshëm të kontestimit të zgjedhjeve, duke përmendur vitet 1996 dhe 2001, kur sipas tij ndërhyrjet e ndërkombëtarëve vunë në pikëpyetje procesin zgjedhor dhe administrimin e rezultateve.
“Dy herë është kontestuar rezultati nga kancelaritë, një herë në ’96 që kërkuan përsëritjen e 40 zonave elektorale që e refuzoi Berisha dhe në 2001 që mori mandate PS nëpër gjykata dhe BE dhe SHBA thanë se këto mandate duhet të kthehen,” deklaroi Zogaj.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është trajtuar statuti i partisë gjatë procesit të rithemelimit, duke theksuar se parimi i dorëheqjes pas humbjes nuk është respektuar.
“Ata vunë statut që kryetari i partisë që humbet zgjedhjet largohet, ‘pa por’, ‘pa si’, jep dorëheqjen dhe nuk është më kryetar,” tha ai.
Duke komentuar rolin e Evi Kokalari, Zogaj u shpreh se ajo ka qenë aktive gjatë rithemelimit, por më pas ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj zhvillimeve në parti.
“Zonja Kokalari mund ta dëmtojë PD më shumë duke mos kandiduar se sa të kandidojë. Sepse duke kandiduar ajo nuk jeton këto dhe në një parti që është bërë shumë sektare s’ka shans,” u shpreh ai.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike e Shqipërisë ka ende potencial për t’u kthyer në një alternativë qeverisëse, por vetëm nëse garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nxjerr në krye një lider të ri të votuar nga anëtarësia.
“PD të bëhet një forcë alternativ që vjen në pushtet dhe mund të vijë në pushtet dhe i ka mundësitë nëse do bënte zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të nxirrte në krye një lider të ri të votuar,” përfundoi Zogaj.
