Last Updated on 15/10/2026 by EL
Një tjetër cisternë nafte është përfshirë nga flakët në Gjirin e Omanit, pasi ka hyrë në një zonë të ndaluar pranë Ngushticës së Hormuzit, me sistemet e gjurmimit të çaktivizuara. Incidenti vjen pas fundosjes së dy anijeve tregtare në të njëjtat ujëra, në ditët e fundit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë detare në rajon.
Sipas mediave shtetërore iraniane, ekipet e monitorimit të marinës së Iranit zbuluan cisternën në flakë në sektorin lindor të Ngushticës së Hormuzit. Për momentin, nuk dihen emri i anijes, flamuri nën të cilin lundronte, gjendja e ekuipazhit apo shkaku i zjarrit.
Një ditë më parë, mediat iraniane raportuan për një tjetër zjarr në një cisternë pranë ngushticës, e cila gjithashtu kishte çaktivizuar sistemet e gjurmimit.
Incidentet pasojnë fundosjen e dy anijeve tregtare. Anija kontejnerike GFS Pride u fundos të mërkurën, pasi u përfshi nga zjarri. Të 21 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan. Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se anija kishte goditur një minë detare, ndërsa burime detare folën për një goditje nga një predhë, pa përcaktuar origjinën e saj.
Edhe anija tregtare Cape Dao, e cila ishte goditur më herët nga një predhë, u fundos. Një anëtar i ekuipazhit humbi jetën gjatë sulmit fillestar.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar pamje që duket se tregojnë mallra, përfshirë telefona celularë dhe produkte luksoze, duke lundruar në ujërat pranë Ngushticës së Hormuzit. Në video shihen persona në varka të vogla që mbledhin sendet nga deti. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar gjithashtu pamje të kontejnerëve dhe mbetjeve që dyshohet se ndodhen pranë ngushticës, por Euronews thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tyre.
Deri në momentin e publikimit, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake të SHBA-së në rajon, nuk kishte reaguar për incidentin e fundit.
Irani zgjeron kufizimet në Ngushticën e Hormuzit
Në shtator, Garda Revolucionare e Iranit shpalli zonë të ndaluar ujërat që të çojnë drejt Ngushticës së Hormuzit, pas deklaratave të Mohsen Rezaeit, sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare.
Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Hossein Mohbi, bëri të ditur se zona e kufizuar përfshin një pjesë të Gjirit të Omanit dhe të Detit Arabik, përgjatë rrugës detare që të çon drejt ngushticës.
Ndërkohë, komandanti i forcave detare të Gardës Revolucionare, Ali Azmayi, deklaroi se Teherani ushtron atë që e cilësoi si „kontroll inteligjent“ mbi ngushticën dhe se të gjitha anijet që synojnë të kalojnë nëpër të duhet të marrin leje paraprake.
Deklaratat iraniane vijnë në kundërpërgjigje të qëndrimit të SHBA-së, sipas të cilit rruga detare mbetet e hapur dhe nën kontrollin amerikan.
Teherani ka paralajmëruar se anijet që shkelin rregullat e vendosura për këtë zonë do të përballen me masa ndëshkuese. Irani shpalli mbylljen e Ngushticës së Hormuzit në fund të shkurtit, në fillim të luftës me SHBA-në, ndërsa Uashingtoni iu përgjigj me vendosjen e bllokadës së vet detare në këtë korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të energjisë.
