Anne Hathaway ka përjetuar një tjetër moment të veçantë në jetën familjare. Aktorja fituese e çmimit Oscar ka mirëpritur fëmijën e saj të tretë me bashkëshortin, Adam Shulman, ka konfirmuar revista People.
Çifti, i cili u martua në vitin 2012, është tashmë prindër edhe i dy djemve: Jonathan, i lindur në vitin 2016, dhe Jack, i cili erdhi në jetë në vitin 2019. Lajmi për ardhjen e fëmijës së tretë vjen disa muaj pasi aktorja bëri publike shtatzëninë e saj.
Anne Hathaway ka folur hapur për vështirësitë me fertilitetin
Ky lajm merr një domethënie të veçantë edhe për shkak të rrëfimit të mëparshëm të aktores për vështirësitë që kishte përjetuar përpara se të mbetej shtatzënë me fëmijën e saj të dytë.
Në vitin 2019, Hathaway foli hapur për sfidat e fertilitetit dhe për ndjenjat e vetmisë e pasigurisë që mund të shoqërojnë përpjekjet për të pasur një fëmijë.
“Për shumë njerëz që po përpiqen të kenë një fëmijë, historia nuk është aq e thjeshtë. Hapat që vijnë përpara shtatzënisë mund të jenë vërtet të dhimbshëm, të mbushur me vetmi dhe dyshime për veten. Edhe unë i kam kaluar të gjitha këto”, ishte shprehur ajo.
Sot, familja e aktores është zgjeruar me një anëtar të ri, ndërsa Hathaway vazhdon të balancojë jetën familjare me karrierën në Hollywood. Mes projekteve të saj të fundit është edhe filmi The Odyssey i regjisorit Christopher Nolan./k.m
