Aktori dhe regjisori Noel Clarke është akuzuar për gjashtë vepra penale, përfshirë dy akuza për sulm seksual, pas denoncimeve të bëra nga pesë gra.
Akuzat ndaj ish-aktorit të “Doctor Who” përfshijnë gjithashtu tre akuza për vëzhgim të fshehtë dhe një akuzë për ekspozim të pahijshëm.
Duke njoftuar akuzat, Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) tha se veprat e pretenduara kanë ndodhur midis viteve 2007 dhe 2016 dhe lidhen me denoncimet e pesë grave.
Clarke pritet të dalë përpara Gjykatës së Magjistratëve të Westminsterit më 21 tetor. Akuzat u ngritën pas një hetimi që nisi në shtator të vitit 2025.
“Gratë që lidhen me këto akuza vazhdojnë të marrin mbështetje nga oficerë të trajnuar posaçërisht. I bëjmë thirrje kujtdo që ka qenë viktimë e sulmit seksual të kontaktojë policinë. Informacioni që jepni do të trajtohet me ndjeshmërinë më të madhe dhe kemi hetues të trajnuar në dispozicion për t’ju mbështetur”, tha detektivi mbikëqyrës Mike Cagney.
“Prokurorët tanë kanë punuar për të përcaktuar se ka prova të mjaftueshme për ta çuar këtë çështje në gjykatë dhe se kjo është në interesin publik. Kemi bashkëpunuar ngushtë me Policinë Metropolitane gjatë hetimit të saj për këto akuza”, tha Bethan David, zëvendësprokurorja kryesore e Kurorës për Londrën.
Clarke, 50 vjeç, njihet për rolin e tij në “Doctor Who”, si dhe për shkrimin dhe interpretimin në filmin “Kidulthood”, i cili trajtonte bullizmin, abuzimin me drogën dhe dhunën ekstreme mes të rinjve në Londër./mxh
