Last Updated on 30/04/2025 by adminfjala
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, la të hapur mundësinë e vijimit të procesit të shpalljes “non grata” nga autoritetet britanike për zyrtarë dhe politikanë të korruptuar shqiptarë duke theksuar se kjo do varet nga interesat e sigurisë kombëtare të vendit të tij.
Në intervistën për Top Channel ai deklaron se shqiptarët që hyjnë ilegalisht në Angli nuk do të marrin azil, ndërsa komentoi edhe vizitën e pritshme kryeministrit Starmer më 16 maj në Tiranë.
Intervista:
Muhamed Veliu- Në vitin 2022, qeveria britanike shpalli disa politikanë shqiptarë si persona të sanksionuar. A do të kemi një listë të re me emra të rinj?
Ambasadori– Gjithmonë më ka intriguar kjo “listë mitike” që personalisht nuk e kam parë kurrë. Siç e dini, ne nuk komentojmë mbi raste individuale ligjore për momentin. Mbretëria e Bashkuar kujdeset për sigurinë e saj kombëtare, ndërmerr masat e nevojshme për ta mbrojtur atë dhe ne do të vazhdojmë në këtë drejtim.
Por unë e di që agjencitë tona të zbatimit të ligjit, institucionet tona të drejtësisë kanë një marrëdhënie shumë të fortë këtu në Shqipëri. Dhe që nga viti 2022, kemi ndërtuar një marrëdhënie operacionale vërtet të shkëlqyer.
Muhamed Veliu- Kryeministri juaj, z. Keir Starmer, do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve Evropianë më 16 maj, dhe parashikohet një takim me Kryeministrin Edi Rama. Cila është rëndësia e kësaj vizite, e para e një Kryeministri britanik në Shqipëri?
Ambasadori– Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme. Tregon edhe njëherë nivelin e partneritetit që kemi tashmë. Kryeministri ynë është dikush që ka treguar interes të vërtetë për Shqipërinë. Ai e di që kemi krijuar një partneritet, një marrëdhënie që po prodhon rezultate. Ai është i interesuar t’i shohë këto nga afër. Dhe gjithashtu ai po vjen në një kohë kur në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, çështjet e mbrojtjes evropiane janë në qendër të vëmendjes.
Muhamed Veliu– Ky samit po mbahet në Shqipëri. Pse është i rëndësishëm dhe çfarë prisni të arrihet prej tij? Ju sapo përmendët rëndësinë e sigurisë, por cilat janë elementët e tjerë?
Ambasadori– Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur Shqipërinë për organizimin e këtij Samiti, që nga momenti kur e organizuam vetë vitin e kaluar. Kjo na duket një gjë normale – që Shqipëria të marrë këtë rol udhëheqës. Aktualisht, siç e dini, në Evropë ka shumë shqetësim për luftën në Ukrainë dhe mënyrën se si ajo mund të zgjidhet. Ka, sigurisht, mundësi për të diskutuar edhe çështje më të gjera. Migracioni, fatkeqësisht, është gjithmonë në rendin e ditës. Por mendoj se Kryeministri ynë vjen këtu me fokus të qartë tek siguria dhe mbrojtja evropiane dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të ndryshëm nga Evropa Perëndimore, Ballkani Perëndimor dhe më gjerë, për atë që duam të arrijmë.
Muhamed Veliu– Vitin e kaluar kemi parë vizitën në Shqipëri të kreut të Agjencisë Kombëtare të Krimeve në Mbretërinë e Bashkuar, z. Biggar. Si e vlerësoni bashkëpunimin me SPAK në luftën kundër krimit të organizuar?
Ambasadori– E vlerësoj shumë pozitivisht. Është një marrëdhënie operative, pragmatike, e hapur, ku po zhvillohen jo vetëm biseda, por edhe bashkëpunim konkret për të arritur rezultate. Dhe jam i kënaqur të them që po arrijmë rezultate.
Muhamed– Kur thoni se ka rezultate të reja, mund të shpjegoni pak më tej?
Ambasadori– Oh, Muhamed, besoj e kuptoni që këto nuk janë gjëra që janë domosdoshmërisht për publikun. m.p.