Shefi i ushtrisë së Norvegjisë, gjenerali Eirik Kristoffersen, ka thënë se Oslo nuk mund të përjashtojë mundësinë e një pushtimi të ardhshëm nga Rusia. Ai ka paralajmëruar se Moska mund të ndërmarrë veprime në veri për të mbrojtur asetet e saj bërthamore, të vendosura kryesisht në gadishullin Kola, pranë kufirit norvegjez.
“Ne nuk e përjashtojmë një pushtim tokësor nga Rusia si pjesë e strategjisë së saj për të mbrojtur kapacitetet bërthamore”, tha Kristoffersen, duke shtuar se këto veprime do të ishin të rëndësishme në rast konflikti të Rusisë me NATO-n në ndonjë zonë tjetër.
Ai theksoi se Rusia nuk ka synime pushtuese si në Ukrainë, por se prania e nëndetëseve bërthamore, raketave tokësore dhe avionëve me kapacitet bërthamor e afron mundësinë e një skenari të tillë në veri. Norvegjia po mban gjithashtu vigjilencë ndaj sabotimeve dhe kërcënimeve hibride.
Ushtria ruse ngadalëson në Ukrainë, shkak i ftohti dhe mungesa e Starlink
Kristoffersen u shpreh gjithashtu kritik ndaj pretendimeve të Donald Trump për Greenlandin dhe rolin e vendeve aleate në Afganistan, duke theksuar se forcat norvegjeze kanë kryer shërbime frontale dhe kanë humbur ushtarë gjatë misioneve.
Ai përmendi se Norvegjia dhe Rusia mbajnë kontakte për misionet e kërkimit dhe shpëtimit në Detin e Barentsit dhe se Rusia respekton traktatin për mos-militarizimin e Svalbardit. Gjenerali sugjeroi edhe krijimin e një linje të drejtpërdrejtë komunikimi midis dy vendeve për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimin.
Kristoffersen ka qenë shef i mbrojtjes së Norvegjisë që nga viti 2020, gjatë një periudhe të tensionuar sigurie pas pushtimit rus të Ukrainës dhe zgjerimit të NATO-s me Suedinë dhe Finlandën./mxh
